Një incident i pazakontë është regjistruar në ambientet e paraburgimit Nr. 313 në Tiranë, ku dyshohet se ka pasur një përplasje fizike mes të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani dhe një punonjësi të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, me inicialet R. S.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në datën 5 gusht, brenda sektorit të sigurisë së lartë të paraburgimit.
Sipas të dhënave paraprake, punonjësi i policisë ka bërë kallëzim pranë Policisë së Burgjeve, pas së cilit Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.
Dyshohet se Dumani ka goditur fizikisht punonjësin, i cili ishte ngarkuar nga Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve me garantimin e sigurisë së tij fizike.
Prokuroria ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe dinamikën e incidentit, ndërsa pritet të përcaktohen përgjegjësitë e personave të përfshirë.
