I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë kreu i Lëvizjes Bashkë, kandidat për Kryetar Bashkie i Tiranës, Arlind Qori. Ai ka folur më shumë për zgjedhjen për t’iu kushtuar politikës dhe çfarë shpreson ai të ndryshojë në shoqëri…

Pjesë nga intervista:

Koha ka treguar që kush hyn në politikë tundohet nga paratë, si mund t’ia garantoni njerëzve që nuk do të ndodhë kështu me ju?

U bëra 44 vjet jetë dhe nuk më ka tunduar asnjë ditë paraja, kurrë. Nuk më ka tunduar asnjë ditë pushteti. Është shumë vonë për t’u turpëruar, në rastin tim. Nuk më bëjnë përshtypje shumica dërrmuese e gjërave materiale, përtej nevojave bazike, si ushqimi. Di të gjej lumturinë tek marrëdhëniet, tek një libër, tek mendimi, tek marrëdhënia me njerëzit. Një gotë verë me miqtë dhe një bisedë e këndshme. Kjo nga pikëpamja e lumturisë emocionale është shumë më e madhe, se sa çdo lloj paraje, e vënë sidomos në mënyrë të paligjshme dhe kriminale. Kurrë nuk i kam kuptuar, edhe nga pikëpamja psikologjike politikanët e korruptuar. Imagjinoni për një moment, një politikan i korruptuar nuk është se thjesht ka gjetur disa para në rrugë dhe i ka futur në xhep. Ka marrë paratë që do duhet të blinin shtretër në spitale, do duhet të blinin ilaçe në spitale, do duhej të ndërtonin shkolla. Pra prej korrupsionit të tij, disa njerëz kanë vdekur, disa njerëz janë sëmurur, të tjerë janë keqshkolluar, të tjerë janë dëshpëruar. Dhe të gjitha këto janë pasojat e një politike të keqe. Nuk e di se si këta njerëz, politikanët e korruptuar, nuk e di si jetojnë me ndërgjegjen e tyre.