Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpalosur disa nga prioritetet kryesore të kësaj partie nëse ajo vjen në pushtet, duke u fokusuar në përmirësimin e kushteve ekonomike të qytetarëve shqiptarë.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha përmendi objektiva konkrete, si vendosja e minimumit jetik në vlerën e 200 eurosh, rritja e pagave dhe pensioneve, duke e caktuar pagën minimale në 500 euro dhe atë mesatare në 1,200 euro.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e diferencimit të çmimeve për shërbime bazike, si energjia elektrike dhe uji i pijshëm, bazuar në nivelin e të ardhurave të individëve. Berisha argumentoi se një politikë e tillë është më e drejtë dhe ndihmon në lehtësimin e barrës ekonomike për ata që fitojnë më pak.
Ai gjithashtu shprehu bindjen se ky model do të krijojë një bazë solide për një zhvillim të fuqishëm ekonomik gjatë vitit të parë të qeverisjes së PD-së, duke kujtuar se në të kaluarën Shqipëria kishte standarde më të larta ekonomike në krahasim me gjashtë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Vendosja e minimumit jetik 200 euro. Rroga minimale 500, rroga mesatare 1200 euro. Jo vetëm kaq, nuk mundet shteti t’i shesë energjinë tjetrit si atij me 500 euro dhe atij me 7 mijë euro rrogën. Kurrë, kjo nuk do të ndodhë. Çmimet e energjisë, ujit të pijshëm dhe disa shërbime do të proporcionohen rreptësisht sipas rrogave dhe të ardhurave.
E gjithë beteja jonë vitin e parë të qeverisjes do të jetë të shtrojë bazën e një starti të fuqishëm për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat dhe pensionet. Ne ishim më mirë se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor”-u shpreh ndër të tjera Berisha.