Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një intervistë live me gazetaren e “Breaking” Dafina Hysi, nga qelia e burgut nëpërmjet lidhjes telefonike për Top News. Meta është ankuar në lidhje me qëndrimin në kafaz qelqi gjatë seancave gjyqësore, teksa tha se po trajtohet si një terrorist.

“Unë nuk mund të rri në kafaz qelqi. Këta përdorin standardin e një terroristi që ka bërë sulm terrorist në Francë. Si mund të kthehet precedenti i një terroristi? Kjo është shumë e rëndë. Gjykata duhet të jetë e paanshme por madje dhe të duket e tillë. Kjo është përmbysje e praktikave demokratike që ekzistoni dhe para se Shqipëria të behej pjesë e institucioneve demokratike. Tani e ka detyrim se Konventa Europiane prevalon mbi Kushtetutën. Unë jam dënuar në dy korrik dhe po bëhet viti, që mua nuk më është dorëzuar vendimi i zbardhur. Jam ende në pritje të vendimit që unë ta ankimoj.

Ju keni rekomandimet e avokatit të popullit. Kolegët kanë bërë kërkesa dhe drejtoria e burgjeve nuk i lejon. I dënuari përjetë në Australi ka dhënë intervistë televizive. Të gjithë nga kafazi kanë folur. Të drejtën ta jep kushtetuta. Komitetit të Helsinikit i kishin thënë se bëja ajrosje dy herë në ditë…”- tha Meta, teksa më pas lidhja telefonike u ndërpre.