Florjan Binaj, kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita për Bashkinë e Tiranës, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e shkarkimit të Erion Veliajt dhe ndalimin e përkohshëm të dekretit presidencial që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve më 9 nëntor.
Në një postim në rrjetet sociale, Binaj shprehet i vendosur për të vijuar garën, pavarësisht çdo ndryshimi në kalendarin zgjedhor.
“Kurdo që të caktohet votimi, ne do të marrim pjesë me vizionin dhe vullnetin tonë për ndryshim,” shkruan ai, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes qytetare në politikë.
Sakaq, ai e cilësoi garën në Tiranë si hapin e parë të një rruge më të gjatë drejt një politike të ndershme, dhe u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen çdo ditë për të rikthyer besimin te politika si shërbim publik.
“Deri atëherë, ju ftoj të punojmë çdo ditë për të ndezur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve besimin tek politika e ndershme, tek politika e punës. Pushteti buron nga qytetarët dhe duhet të punojë vetëm për ta,” shton më tej Binaj, duke përfunduar se “partia më e rëndësishme dhe më e fuqishme në botë është partia e qytetarëve.”