Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për detin duke thënë se deklaratat e ministrit të Jashtëm grek për zgjerimin 12 milje në det janë keqinterpretuar.


Ai tha se publiku shqiptar është përfshirë nga një thashethem që nisi nga hiç dhe se ministri grek foli kur po ratifikohej marrëveshja e ujërave me Italinë


“Nuk ka pasur ndonjëherë marrëveshje deti se nuk bëhet për të ndarë detin në shporta dhe as për të ndarë midhjet me karkalecat. Bëhet fjalë për një dialog ku kemi shtruar të gjitha temat tona dhe ato temat e tyre. Marrëveshja quhet e tillë kur ekziston, dhe që një marrëveshje e tillë të ekzistojë duhet të ketë firma dhe vula, dhe akoma nuk është e vlefshme pa kaluar në disa etapa. Nëse ka një grup negociator, ky grup mund ta bëjë sipas opinionit të tij marrëveshjen por nuk është e vlefshme nëse nuk shkon tek Kuvendi i Shqipërisë, nëse nuk kalon Presidentin e Shqipërisë dhe Presidenti aktual ka thënë që ai do ta çojë marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, pra është gjithë ky proces.


Por meqë publiku shqiptar ushqehet me thashetheme, dhe ndodhi ajo që u përfshinë nga një thashethem që nisi nga hiçi. Mizotaqis nuk ka folur fare për shtrirje për ujërat që janë objekt i kësaj negociate. Ai ka folur për një të drejtë sovrane. Nuk ka folur asgjë për lidhur me Shqipërinë.


Deti Jon nuk mbaron në Konispol, deti Jon nuk i lidh vetëm me Shqipërinë. Ai foli kur po ratifikohej marrëveshja e ujërave me Italinë. Thotë një fjali që flet për Detin Jon,” tha Rama ne Opinion.