Banorët e fshatit Cakran i Ri në bashkinë Fier kanë ngritur paraditen e sotme problematikën e rrugës së pakalueshme të varrezave, çka vështirëson përcjelljen me dinjitet të njerëzve të dashur për në banesën e fundit.

Ata pohojnë se segmenti rrugor prej 700 metrash, tërësisht i amortizuar në të gjithë gjatësinë e tij, nuk ka njohur kurrë investime, duke i detyruar banorët ta mbajnë në krah njeriun e tyre të dashur, duke ecur në një terren të vështirë. Gjithashtu, shtojnë se përballë kësaj situate janë ankuar shpeshherë, por deri më sot situata mbetet e pandryshueshme. Të vetmen rrugëzgjidhje ata kanë parë solidarizimin për të investuar privatisht si fshat, për të mos e bërë përcjelljen e të ndjerit për në banesën e fundit një mision gati të pamundur.

Ata pohojnë gjithashtu se shpeshherë kërkojnë ndihmën e të rinjve të fshatit, pasi të moshuarit në këtë rrugë të pakalueshme nuk mund ta mbajnë arkëmortin në krahë. Njëzëri, banorët kanë kërkuar zgjidhje për riparimin e rrugës, të paktën të gjejnë paqe në këtë vend, pra në varreza, teksa kanë theksuar se nëse nuk do të ketë reagim nga institucionet përgjegjëse, do të përshkallëzojnë protestën e tyre.