Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur hetimet dhe ka konfirmuar autenticitetin e vendimit të dënimit të dhënë nga autoritetet greke ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Irena Gjoka, por një ngjarje e re ka dalë në dritë.

Është publikuar formulari i vetëdeklarimit të gjyqtares, ku ajo ka shpërfillur të deklarojë në asnjë moment se ka pasur ndonjë lidhje me autoritetet greke, duke përfshirë hetimin apo dënimin e saj në Greqi. Formulari, i cili është shumë i detajuar dhe kërkon informacion të plotë për historinë e personit, përfshin pyetje nëse ai/ajo ka ndryshuar të dhënat personale, është arrestuar, proceduar penalisht ose ka marrë ndonjë dënim brenda apo jashtë vendit.

Një nga pyetjet kryesore është nëse ka pasur ndonjëherë një urdhër ndërkombëtar kërkimi ndaj personit në fjalë, por Gjoka ka shmangur të deklarojë ndonjë informacion të tillë që lidhet me dënimin e saj në Greqi.

Tashmë, “topi” ka kaluar te Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ), i cili do të vendosë nëse do të shkarkojë apo jo gjyqtaren Irena Gjoka, duke marrë parasysh mungesën e transparencës dhe shkeljen e detyrimit për të deklaruar informacionet e nevojshme në formularin e vetëdeklarimit.