Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me debatet dhe protestat për projektin turistik në Zvërnec, duke ndarë në rrjetet sociale imazhe të projekteve të zhvilluara nga investitorë nga Katari në vende të tjera.
Përmes postimit të tij, Rama sugjeron se i njëjti model zhvillimi pritet të zbatohet edhe në Zvërnec, duke e paraqitur investimin si një mundësi për transformimin e zonës dhe rritjen e potencialit turistik.
Postimi i Ramës:
NUK SHEH SYRI SHEH MENDJA
Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane, konkurrentë të Shqipërisë Turistike, shqiptarë të verbër që po përdoren si vegla qorre kundër Shqipërisë, po edhe shqiptarë të ndershëm e të ndjeshëm ndaj mjedisit…
Kështu e kuptojnë zhvillimin në harmoni me natyrën ata që sot janë blerësit legjitimë të truallit privat në Zvërnec, dy vëllezërit e famshëm nga Katari që e kanë paguar me transaksione bankare të çertifikuara nga institucionet shqiptare e ndërkombëtare, si edhe bashkëpronarë të konglomeratit global Power Holding, një fuqi e madhe sipërmarrëse jo vetëm në Lindjen e Mesme, po edhe më gjerë.
Kush do të njihet me aktivitetin e tyre dhe të mësojë më shumë edhe për dy zhvillimet e bukura të postuara këtu, le të klikojë powerholding.com që të kuptojë se kush po vjen në këtë Shqipëri, e pse s’mund të vijë kurrë dot për të prishur po vetëm për të lartësuar.
Ndërsa kush nuk do të dëgjojë e të kuptojë, do duhet të presë si ata që ishin kundër stadiumit kombëtar, e pastaj panë finalen europiane në Tiranë duke bërë selfije me stadiumin.
