Julian Cumraku dhe Erzen Uka, të arrestuar mbrëmjen e së hënës në Fushë-Arrëz janë lënë në arrest me burg nga Gjykata e Shkodrës.

Në një deklaratë për mediat, avokati mbrojtës i Erzen Ukës shprehet se ndalimi është i paligjshëm pasi ai ndodhej rastësisht në atë shtëpi dhe nuk dinte asgjë për armët.

“Ndaj klientit tim nuk ka akuzë për terrorizëm. Është ndalim i paligjshem. Ata akuzohen vetëm për armëmbajtje pa leje. Klienti im ndodhej rastësisht në shtëpinë e Cumrakut pasi janë shokë. Nuk dinte gjë për armët. Policia e shtetit i ka qëlluar. Duhet të japin llogari policia si u plagos. Nuk u dorëzuan sepse do t’i vrisnin”-u shpreh ai.

Uka dhe Çumraku u vetëdorëzuan pas më shumë se 13 orësh të rrethuar në një banesë në lagjen Orosh të fshatit Kryezi, Fushë-Arrëz. Çumraku ishte kthyer të jetonte prej më shumë se një viti në fshatin e të parëve, ndërsa kohët e fundit aty ishte bashkuar edhe Uka. Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti armë, municion, granata dhe një flamur të organizatës “ISIS”.

Erzen Uka ka qenë i dënuar më herët për nxitje të urrejtjes dhe konfliktit, ndërsa Julian Çumraku ka precedentë për vjedhje dhe kanosje.

Top Channel