Kurset private
Vërshon “sezoni” i orëve me pagesë. MASH: E ndaluar. Në shkolla, konsulta falas
Parauniversitarët
Shpresa Mezini
“Sezoni” i kurseve private ka nisur vrullshëm. Orët suplementare për nxënësit që kanë mangësi në lëndë të ndryshme kanë mbirë si kërpudhat pas shiut. Kjo, tashmë s’përbën çudi, pasi përkon me periudhën e maturës shtetërore, kohë kur nxënësit paguajnë pa kushte vetëm e vetëm që të arrijnë rezultate të kënaqshme në provimet e maturës. Nga të dhënat mësohet se të interesuarit për të marrë “leksione” private nuk janë vetëm maturantë, ata që synojnë të ulen në auditorët e fakulteteve, por edhe nxënësit e klasave të 9-a, të cilët do të testohen për provimet e lirimit.
Ndonëse të ndaluara kategorikisht, me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, që prej vitit 2009, ato zhvillohen krejt normalisht nga mësues të shkollave të mesme publike dhe jopublike, të cilët kundrejt pagesës mësojnë nxënësit, në varësi të mangësive që kanë në lëndë të caktuara.
Ky fenomen pohohet nga vetë nxënësit dhe prindërit, të cilët shprehin hapur se paguajnë me kënaqësi çfarëdo lloj shume me qëllim që fëmijët e tyre të arrijnë të fitojnë shkollën e lartë.
I njëjti pohim vjen edhe nga mësuesit e shkollave të mesme në kryeqytet, të cilët prej një muaji kanë nisur orët konsultative për lëndët që nxënësit do të testohen në maturë.
“Numri i nxënësve që ndjekin orët suplementare, pasi përfundon orari zyrtar i mësimit është i kufizuar. Madje sivjet numri i tyre është edhe më i vogël se vjet. Arsyen nuk e kam të qartë, nuk arrij të kuptoj pse prindërit janë kaq të dëshiruar të shpenzojnë para, në një kohë kur jemi ne ata që gjatë viteve të gjimnazit i mësojmë ata. Kjo është teoria tipike e shqiptarëve, që mendojnë se sa më shtrenjtë të paguajnë, aq më shumë ka rezultat, pavarësisht se përvoja ka treguar të kundërtën”, tha Zana, mësuese në një prej shkollave të mesme në kryeqytet.
Çmimet
Nga një vështrim sipërfaqësor i tregut vërehet se lëndët për të cilat nxënësit paguajnë shtrenjtë janë Anglishtja, Matematika dhe Letërsia. Të paktën kështu pohojnë disa prej mësuesve që japin mësim privat, për gazetën “Shqip”. Menjëherë pasi anglishtja u rendit në krye të listës së lëndëve me zgjedhje, për shkak të koeficientit të lartë, tarifa që duhet të paguash për ta mësuar atë privatisht është rritur. Maturantit i duhet të paguajë 15 mijë lekë të vjetra vetëm për një orë mësimi në gjuhën angleze, ndërsa për të mësuar frëngjisht duhet të paguash 13 mijë lekë të vjetra. Mësohet se për të mësuar privatisht matematikën, provimi dytë i detyruar në maturën shtetërore, i interesuari duhet të paguajë 20 mijë lekë të vjetra, për vetëm 60 minuta. Arsimtarja, e cila prej më shumë se 10 vjetësh jep mësime private për lëndën e matematikës, tregon për “Shqip” se kjo lëndë është e ndërlikuar, çka do të thotë se lodhja është më e madhe. Nga ana tjetër, ajo thotë se nxënësit që kërkojnë të mësojnë matematikën përtej dyerve të shkollave, kanë mangësi të thella në këtë lëndë, për rrjedhojë duhet shumë punë për të arritur rezultate me ta.
Lënda Njohuri për Shoqërinë dhe Filozofia kushtojnë 10 mijë lekë të vjetra ora, ndërsa historia dhe gjeografia 8 mijë e 500 lekë, secila.
MASH
“Duke marrë në konsideratë shuma si këto, të konsiderueshme në raport me financat e familjeve shqiptare, rezulton se përcaktimi i pagesave bëhet sipas koeficientëve. Kështu, sa më i lartë të jetë koeficienti i lëndës, aq më shtrenjtë do ta paguash. Por kjo praktikë pune është e padrejtë në një kohë që MASH ofron orë të posaçme për t’u ardhur në ndihmë njohurive të nxënësve, falas, pa paguar as një 10 lekësh”, sqarojnë burime në MASH. Sipas tyre, zhvillimi i kurseve private si për maturën shtetërore edhe për provimet e lirimit, është i ndaluar kategorikisht. Duke i konsideruar këto forma si abuzive, ato thonë se nxënësit nuk kanë pse t’u drejtohen konsultimeve private, kur në shkolla janë vënë në dispozicion orë shtesë falas për të gjithë nxënësit më mangësi. Mësohet se Drejtoria Arsimore në kryeqytet, por edhe Drejtoritë Rajonale e Zyrat Arsimore kanë listuar në shkolla grafikun e shpërndarjes së orëve në shërbim të maturantëve dhe nxënësve që do të zhvillojnë sivjet provimet e lirimit.