mesuesUdhëzimi


Kusht, gjuha shqipe dhe shlyerja e provimeve ekuivalente me Maturën Shtetërore


Shpresa Mezini


Maturantët e kthyer nga jashtë duhet të njohin mirë gjuhën shqipe, përndryshe humbasin të drejtën për të studiuar në një prej fakulteteve në vend. Kështu, duke iu referuar udhëzimit të fundit të firmosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, nxënësit e diplomuar në arsimin e mesëm apo në prag diplomimi, duhet të testohen për gjuhën shqipe për të vazhduar më tej.


Rregullorja e provimeve të maturës 2013, përcakton se për t’u përfshirë në provimet me zgjedhje, këta nxënës më parë duhet të japin provimin e gjuhës shqipe. Zotërimi i kësaj lënde vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës. Kështu, procesi i Maturës Shtetërore për maturantët e kthyer, që zgjedhin të studiojnë në atdhe, do të ketë në total 5 provime. Por, ky nuk është i vetmi detyrim që duhet të shlyejnë nxënësit e ardhur, kryesisht nga shtetet fqinje, si Italia apo Greqia, nga ku regjistrohet numri më i lartë i kthimeve në atdhe. Një tjetër kusht që duhet të plotësojnë ata është testimi i detyrueshëm në lëndë ekuivalente me procesin e maturës që aplikohet në vendin tonë.


Procedura


“Shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore  për t’u pranuar në universitet, duhet të japin Matematikën, Gjuhën shqipe dhe Letërsinë dhe 2 nga gjuhët e huaja të menysë së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë (provimet me detyrim D1 dhe D2)”, përcaktohet në rregullore. Në të thuhet se nga detyrimi i dhënies së provimit të gjuhës shqipe përjashtohen të gjithë ata shtetas të cilët kanë ndjekur studimet në shkollën e mesme në institucione arsimore që kanë program mësimor në gjuhën shqipe, ose ata që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar të Maturës Shtetërore. Sipas rregullores,


formularët A1Z, të plotësuar nga kandidatët për të cilët bën fjalë ky udhëzim, dorëzohen zyrtarisht nga DAR/ZA në AKP, së bashku me përmbledhësen e të dhënave të tyre, brenda datës 30 gusht 2013. Ndërsa formulari A2 plotësohet nga shtetasit e ardhur nga jashtë vendit pranë DAR/ZA-së ku kanë vendbanimin nga data 2-6 gusht i këtij viti.


Dokumentet


“Shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, paraqesin pranë komisionit të posaçëm në MASH, nga data 1 deri më 10 gusht 2013, dokumentet e mëposhtme:


Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL;


dëftesën/diplomën origjinale së bashku me listën e notave të të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara; kopje të noterizuar të pasaportës ose të kartës së identitetit; dokument zyrtar nga vendi që vjen, i cili vërteton se cikli i studimeve të kryera nga shtetasit shqiptarë në atë vend dhe profili i shkollës së mesme që kanë përfunduar”, thuhet në udhëzimin për “Procedurat e njehsimit të diplomave për shtetasit shqiptarë që e kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit”. Sipas tij, në rastet kur komisioni i posaçëm vlerëson se dokumentet shkollore të maturantëve të ardhur nuk provojnë dhënien e provimeve me zgjedhje, por vetëm ato me detyrim, D1 dhe D2, atëherë ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Në këtë rast, shtetasi shqiptar është i detyruar të japë vetëm provimet me zgjedhje.


Aplikimi


Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në fakultetet shqiptare


Diplomën origjinale së bashku me listën e notave të viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara


Kopje të noterizuar të pasaportës ose të kartës së identitetit


Dokument zyrtar nga vendi që vjen, i cili vërteton ciklin e studimeve të kryera nga shtetasit shqiptarë në atë vend


Dokument që sqaron profilin e shkollës së mesme që ka ndjekur nxënësi, shoqëror ose shkencor