Nga Korça, kryeministri Edi Rama zbuloi se kanë nisur negociatat për ndërtimin e resortit të parë të skive në Nikolicë.
Rama u shpreh se kanë filluar bisedimet me kompaninë nga Arabia Saudite “EMAAR”, që po ndërton portin turistik të Durrësit, për ndërtimin e resortit të parë të skive.
“Me kompaninë që ndërton portin turistik të Durrësit, kemi filluar diskutimin për ndërtimin e resortit të parë të skive në zonën e Nikolicës, projekt që do jetë hapja e një kapitulli tjetër për turizmin në Shqipëri që e kemi lidhur gjithmonë vetëm me verën, por kemi të pa eksploruar turizmin malor dhe Korça është zgjedhja e parë për këtë dhe hapja e një resorti skish do sjellë shumë më tepër punë e reputacion. Ka ende shumë hapësirë edhe për zhvillimi e bujqësisë dhe agro-turizmin. I bëj apel atyre që janë në emigracion nga kjo zonë që nëse kanë një shtëpi në zonën e fshatit, të investojnë në agroturizëm se do sjelli të ardhura më të larta se i punësuari i kujtdo në emigracion. Kemi sot pika agroturizmi në të gjithë Shqipërinë që tregon se kjo industri sjell të ardhur atë konsiderueshme për familjet”, tha Rama.