Arrestimi i djeshëm i Vlora Hysenit, ish drejtoreshës së SHISH, ka sjellë sot debate në Komisionin parlamentar të Ligjeve.

Me nisjen e mbledhjes së sotme të komisionit në të cilin do të diskutohej për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, nënkryetari, Oerd Bylykbashi shprehu se në qendër të çdo diskutimi jo vetëm në komisionn e Ligjeve, por edhe në të gjitha komisionet në rend dite, duhet të jetë arrestimi i djeshëm i ish-kreut të SHISH.

Të njëjtin qëndrim me Bylykbashi ndau edhe kolegu i tij demokrat, Saimir Korreshi i cili tha: “Ka rënë shteti sot ore, o bosa, e dini ju apo jo. Çfarë të bëjmë tanii, ne të rrimë dhe të ndajmë këtu kooperativat, po, si urdhëron.”

Ndërkohë kryetari i komisionit, Ulsi Manja iu kërkoi dy anëtarëve opozitarë që t’i përmbahen rendit të ditës, pasi sipas tij projektligj i paraqitur në rend dite është më i rëndësishmi për komisionin e Ligjeve.

Pjesë nga debati:

Bylykbashi: Ju miratuat kalendarin për një proces që është qartazi në shkelje të Kushtetutës dhe thelbësisht në kundërshtim me interesin e qytetarëve. Ne nuk patëm mbledhje dje, po në rend dite sot jo vetëm në këtë komision, por në çdo komision është skandali i djeshëm zoti kryetar. Kjo reforma, që sjellin për t’ia nxirë jetën më shumë shqiptarëve ka për sfond skandalin e djeshëm. Kreu i SHISH arrestohen nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar. Pra e kuptoni sa qesharake është kjo që sillni juve. Përveç asaj që keni bërë jemi në këtë kuadër, ky shtet është i krimbur nga koka te këmbët. Ky parlament diskuton për seksin e engjëjve. Flet për gjëra të cilat, thjeshtë do t’ia bëjë më keq jetën, por ndërkohë ky parlament duhet të mblidhet dhe të thotë: ore ku është ky ekzekutiv, çfarë po ndodh në këtë vend. Si ka mundësi që krimi i organizuar në nyjet nevralgjike kryesore të shtetit. SHISH, AKSHI që bën vaki ka dhe më shumë informacion sesa SHISH për jetën e përditshme të njerëzve. Ka një impakt më të madh. Kadastra, ministritë, sistemi i prokurimit, çdo gjë, një shtet i rënë dhe them mos ja veni fajin asaj, drejtoreshës apo vetëm Ergys Agasit. Është kryeministri, ai që ka edhe konceptin e centralizimit të pushtetit, që asnjë nga ju të mos bëjë gëk. Që edhe kur të vijë ky projektligji këtu, të mos ndjeheni dhe ta votoni me kokën e ulur. Dhe ajo e djeshmja është vetëm një puçërr e sistemit që është i infektuar në të gjitha qelizat, me një emër infeksioni, Edi Rama. Kaq.

Manja: Unë mendoj që ne të ecim me rendin e ditës. Sepse nuk mendoj që ka projektligj më të rëndësishëm për komisionin tonë sesa ky i sotmi dhe nuk duhet kurrsesi që ne të ulim vlerën e kësaj mbledhje dhe këtij institucioni me veprimtarinë normale të institucioneve në një shtet demokratik. Kështu që nëse ka për procedure sugjerime për rendin e ditës, mund ta merrni fjalën, por ama, duke i qëndruar rendit.

Korreshi: Duke qenë se na njoftuat edhe ndërrimin e sallës, unë mendova se kishte ardhur Bajromi, për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, se ka rënë shteti. Dhe thashë po na thërret dhe ne të ligjeve tani, në mbështetje të kësaj që po bie. Ne vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, do ndajmë hartën thotë, kooperativa bujqësore të tipit të lartë apo të tipit të mesëm. Pra do ja heqim Lenës, do ja vëmë renës bashkitë e këto të tjerat. Tani ky kuvend a ka ndonjëherë prioritete kur bie siguria kombëtare, sot kush e ruan shtetin tonë. Bajrami dini gjë nga është, se duhet të ishte këtu në këtë sallë ku bëhen mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Të tjerat janë kot tani. Ju keni vendosur, sikur do na pyesni ne juve, do na bëni mbledhje, ky është ‘zhgrrab pab’, ju se sollët në komision. Tek bashkëkryetari këtë dhe po na e sillni këtu raportin, keni marr dhe televizor atje të madh, ne sjemi për kinema këtu ore. Ka rënë shteti sot ore, o bosa, e dini ju apo jo. Ai që na mbronte nga të jashtmit dhe agjenturat është në burg se tregonte vetë dhe ai që ishte i brendshmi na çonte te krimi. Çfarë të bëjmë tanii, ne të rrimë dhe të ndajmë këtu kooperativat, po, si urdhëron.

Manja: Nëse keni ardhur të gjithë që të thoni të gjitha mendimit tuaj për atë të djeshmen, unë po ju jap kohën të gjithëve nga dy minuta dhe pastaj të fillojmë me rendin e ditë, nëse është kështu. Por problemi është që kemi një projektligj shumë të rëndësishëm që shkon përtej asaj që ka ndodhur dje dhe përtej atyre që kanë sot në dorë institucionet.

Top Channel