Kryeministri Edi Rama ka folur nga Durrësi, në organizimin për 35-vjetorin e Partisë socialiste. Rama u ndal tek procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian, teksa u zotua që PS do ta bëjë Shqipërinë Evropë. Më tej, Rama dha lajmin se pas disa ditësh do të takojë kancelarin gjerman, Fredrich Merz.

“Qëllon edhe që sot të jetë dita përpara mbledhjes së Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së në Bruksel nesër, ku do të vuloset përmbyllja e fazës hyrëse dhe hapja e fazës përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë që Shqipëria pasi hapi të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në kohë rekord, me shpejtësinë më të madhe të regjistruar në të gjitha proceset e integrimeve të vendeve që na kanë pararenduar, tani më konsiderohet e gatshme për të filluar nga mbyllja e kapitujve të negociatave dhe konferenca e nesërme zhvillohet ekzaktësisht sipas kalendarit të paravendosur me Komisionin Europian, me synimin e përbashkët që negociatat e anëtarësimit të mbyllen brenda vitit 2027.

PS është një oqean që e ngre dallgën çdo herë e më lartë, sepse është e vetëdijshme për sfidën dhe malin për t’u ngjitur. O e bën PS Shqipërnë Europë, ose Europa nuk e merr kurrë Shqipërinë. Pas disa ditësh do ju çoj si përshëndetje një informacion nga takimi që do të kem me kancelarin e Gjermanisë. Ata të PD i bien grepit po njësoj, s’kanë nevojë për karrem. E gjejnë vetë veten në grep”, tha mes të tjerash Rama.