Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku i kërkon sqarime kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me një vilë në Itali.
Në videomesazhin e tij, Balla përdor tone ironike dhe ngre pikëpyetje mbi statusin e pronës, duke pretenduar se ka paqartësi në deklarimet e Shehajt për pronësinë dhe shitjen e saj.
“O Gono, ku je mo burrë? E shite apo s’e shite atë të shkretën vilë? A është 250, 498, 359? E ke shitur vjet në shtator apo është akoma e jotja? Se mos e nxjerr Kadastra e Italisë që është ende e jotja”, shprehet Balla në video, duke i kërkuar Shehajt të sqarojë situatën.
Pas publikimit të videos, ka reaguar kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili e akuzoi Ballën se ka publikuar të dhëna për vendndodhjen e banesës ku jetojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij në Itali.
Në një reagim të bërë përpara Kryeministrisë, Shehaj deklaroi se publikimi i këtyre të dhënave është bërë me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe e cilësoi si një përpjekje për ta intimiduar atë dhe deputetët e partisë së tij.
“Sot Edi Rama ka dërguar Taulant Ballën tek shtëpia ime, ka filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët e mi dhe bashkëshortja ime, duke treguar edhe adresën”, tha Shehaj.
Sipas tij, qëllimi i këtij veprimi është ndalimi i denoncimeve të opozitës ndaj qeverisë.
“Ne nuk ndalemi! Nuk na trembni dot, as me filmime, as me presione, as me media”, deklaroi kreu i Partisë Mundësia.
