Seanca plenare e Kuvendit u ndërpre pas një përplasjeje verbale mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Shkak u bë një moment tensioni mes Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar të PS-së, dhe deputetit të PD-së, Flamur Noka, pasi ky i fundit e quajti “idiot” ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Balla reagoi menjëherë, duke kërkuar që Noka ose të kërkonte falje publike ministrit, ose të largohej nga salla.

“Është bërë disa herë radhazi që seanca shndërrohet në skenë ofendimesh. Sot po arrihet kulmi. Kërkohet fjala për procedurë, por përdoret për të kërkuar dorëheqje dhe për të ofenduar. Në një parlament serioz, një grup deputetësh do të kishte sjellë një kërkesë procedurale zyrtare nëse do ta ndiente vërtet çështjen. Javën e ardhshme do të kemi debat 12 orë e gjysmë për pesë institucionet e drejtësisë që do raportojnë,” tha Balla.

Ai shtoi se është e papranueshme që në seancë të përdoren fyerje personale, veçanërisht ndaj një ministri që ndodhej në sallë:

“Ky njeri këtu nuk ka vend, i bërtiste ministrit ‘o idiot’. Ose t’i kërkojë ndjesë ministrit, ose, zoti kryetar, kërkoj 5 minuta pushim dhe ky person të dalë jashtë,” përfundoi Balla.

Pas deklaratës së tij, seanca u ndërpre për disa minuta.