Politologu Ermal Hasimja dhe deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu ishin të ftuar në A2 CNN, ku debatuan mbi protestat e opozitës dhe mënyrën se si duhet të shprehet pakënaqësia qytetare.

Gjatë diskutimit, Balliu mbrojti qëndrimin se protesta nuk duhet të ngatërrohet me mitingun, duke theksuar se qëllimi i saj nuk është thjesht demonstrimi i numrave, por përballja direkte me pushtetin.

Ai deklaroi se opozita nuk synon të organizojë tubime simbolike, por protesta të mirëfillta, të ngjashme me ato që zhvillohen në vende si Franca, Gjermania apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, qytetarët gabojnë kur preferojnë të marrin pjesë në mitingje paqësore dhe jo në protesta, të cilat, siç u shpreh, janë forma reale e reagimit ndaj një qeverie që ai e akuzon për korrupsion dhe vjedhje.

Balliu argumentoi se pakënaqësia popullore nuk mund të shprehet me prezencë simbolike për disa minuta, por kërkon përfshirje aktive. “Ne nuk po thërrasim miting për të parë sa njerëz kemi. Ne po thërrasim protestë”, u shpreh ai, në emisionin “Off Record”, duke shtuar se protesta është një mjet demokratik presioni dhe se qytetarët kanë të drejtë të reagojnë kur ndihen të vjedhur apo të shpërfillur nga pushteti.

Nga ana tjetër, Hasimja ngriti pikëpyetje mbi qëllimin konkret të përballjes që kërkon opozita.

Ai theksoi se qytetarët e Tiranës nuk duken të gatshëm të përplasen me policinë dhe se institucioni i policisë nuk duhet parë si armik.

Sipas tij, një pjesë e efektivëve janë në detyrë për shkak të rrethanave dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht kundërshtarin politik të protestuesve.

Ai tha se shumë qytetarë nuk vijnë në protestë prej përdorimit të mjeteve piroteknike, megjithëse e ndjejnë të protestojnë kundër qeverisë Rama.

Debati u përqendrua edhe te ideja e “pushtimit të Kryeministrisë”, një retorikë e përdorur shpesh në protestat opozitare.

Hasimja vuri në dukje se kryeministri nuk ndodhet fizikisht në godinë gjatë orëve të protestës, ndërsa Balliu u përgjigj se protesta ka për synim të përballet me përfaqësuesit e pushtetit që ndodhen aty dhe me atë që ai e cilëson si sistem të korruptuar.

Balliu theksoi se protesta është institucion demokratik dhe se, sipas tij, ekziston një përpjekje propagandistike për ta delegjitimuar atë, ndërkohë që vendet europiane, të cilat Shqipëria synon t’i ndjekë, kanë traditë të fortë protestash qytetare.