Mes thirrjeve dhe mesazheve politike në protestën e gjashtë përpara Kryeministrisë, një qytetar deklaroi se tubimet do të vijojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Duke iu drejtuar protestuesve, ai bëri thirrje për një pjesëmarrje edhe më të madhe në protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme, duke kërkuar mobilizimin e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora.

“Do të jemi këtu derisa ai të mos jetë më këtu. Ndaj ju lutem mos harroni, nesër është e shtunë, në orën 18:00 këtu të jetë e gjithë Shqipëria”, deklaroi ai para turmës.

Protestuesi theksoi se reagimi duhet të shtrihet përtej kufijve të vendit, duke ftuar edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë t’i bashkohen protestës.

“Madje më e pakta është e gjithë Shqipëria. Këtu duhet të jetë e gjithë diaspora. Duhet të bashkohen vëllezërit e motrat nga të gjitha trojet”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij, qytetari përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit, duke deklaruar: “Jemi këtu për t’i thënë se e kemi seriozisht, o ne, o ti, Rame”, deklaratë që u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga protestuesit e mbledhur në shesh.