Ditën e djeshme u mbush plot një vit nga vrasja tragjike e 14-vjeçarit Martin Cani.

Florina Cani ka bërë një postim në një llogari në Instagram me emrin e 14-vjeçarit të ndjerë, ku shpreh emocionet dhe mallin që ndjen për të birin. Ajo shprehet se i mungon çdo ditë, por merr ngushëllim nga e gjithë Shqiptaria.

“Biri im… O drita ime…

Sot bëhet një vit që zemra ime nuk rreh më si dikur. Një vit që shtëpia është kthyer në një dhomë të ftohtë, ku asgjë nuk lëviz më, veç kujtimeve që më djegin shpirtin. Çdo mëngjes zgjohem dhe instinktivisht shkoj drejt dhomës tënde. Prek jastëkun, mbuloj batanijen, kërkoj aromën tënde… dhe gjej vetëm boshllëk. Boshllëk që më grihet brenda, që më merr frymën.

Ti zgjoheshe gjithmonë para meje. Ajo zëri yt i butë: ‘Ma, jam gati.’

Më mungon, o shpirt, më mungon aq shumë sa ndonjëherë më merret mendja nga dhimbja. Më mungon mënyra si haja tostin me nxitim, si të mbeteshin thërrimet mbi bluzë, si e përqafoje vëllain para se të ikje në shkollë. Më mungon çdo detaj i vogël që dikur dukej i zakonshëm… dhe sot është plagë. Kur ikje në shkollë, të ndiqja pas nga ballkoni deri sa të zhdukeshe në rrugicë. Nuk e dija, biri im, se ajo ditë ishte hera e fundit që do të të shihja duke më kthyer kokën me buzëqeshje.

Nuk e dija që mëngjesi im i fundit me ty do ishte kaq i zakonshëm… edhe pse sot ai mëngjes më vret si çdo ditë. Ktheheshe nga shkolla me atë zërin tënd plot jetë: ‘Ma, jam shumë i uritur!’

Dhe unë gatuaja gjithçka që ti doje, vetëm që të të shihja të lumtur. Tani gatuaj dhe pjata mbetet bosh. Rri në tryezë dhe harroj që ti nuk vjen më.. pastaj kujtohem dhe më shkrepet shpirti. Pas drekës ikje në sport. Ktheheshe i djersitur, i lodhur, por i lumtur. Biri im, nuk e di si zemra ime rri akoma kur e di që nuk do të shoh më të futesh në derë duke thënë: ‘Ma, e fituam sot!’

Në darkë rrije pranë meje, më tregoje gjithçka. E kisha shtëpinë plot jetë, plot zë, plot energji… sot kemi heshtje. Heshtje që të pret mishin, heshtje që nuk fal. Dhe kur vjen nata, o bir, unë nuk fle. Vendos kokën në jastëk dhe mendoj:

Si është e mundur që një nënë të zgjohet, të gatuajë, të qeshë me njerëzit.. kur zemra i ka vdekur? Ka netë që flas me ty me zë të lartë, sikur je aty. Ka netë që rri e shtrëngoj bluzat e tua, që të ndiej afër.

Ka netë që them: ‘Zot, pse ma more?’

Dhe nuk marr përgjigje. Sepse nuk ka përgjigje për një nënë që ka humbur djalin. Të kërkoj kudo, biri im… në fotografi, në ëndrra, në erën që hyn përmes dritares, në një zë fëmije që kalon rrugës. Por askush nuk është ti. Asgjë nuk je ti.

Ndonjëherë e ndiej sikur hyn në dhomë, një trokitje e lehtë, një frymë e butë dhe unë them me vete: ‘Erdhi Martini im…’

Por kur kthehem, nuk ka asgjë. Vetëm lot. Lot që nuk mbarojnë kurrë. Askush nuk e kupton zemrën time. Askush nuk e kupton një nënë që ka humbur dritën e syve.

Por ta them një gjë, o shpirt i mamit: Ti nuk je zhdukur. Ti je këtu, në çdo frymë timen. Je arsyeja pse unë ende ngrihem nga shtrati. Je dashuria ime e përjetshme. Je gjaku im, zemra ime, jeta ime. Edhe pse nuk të shoh, unë të ndiej. Edhe pse nuk flet, unë të dëgjoj. Edhe pse nuk je këtu fizikisht, tije brenda meje dhe atje do të mbetesh deri ditën që unë të vij tek ti. Dhe kur të vij, biri im, dua të më presësh vrap në krahët e tu.

Si dikur, kur më përqafoje fort dhe më thoje: ‘Ma, mos u mërzit.’

Dhe unë sot po të them: Nuk do pushoj së të dashuruari. Asnjë ditë, asnjë orë, asnjë frymë nuk do jetë pa ty. Zemra ime nuk gjen qetësi por ngushëllohem sado pak nga e gjithë Shqiptaria dhe emri yt është i gdhendur në çdo familje!”– shkruan ajo.