Clinton do të lërë Shtëpinë e Bardhë. John Kerry dhe Susan Rice, kandidatë për sekretarë Shteti


Presidenti Barack Obama është shfaqur mjaft i mallëngjyer dhe është përlotur, teksa ka përshëndetur dhe falënderuar vullnetarët e shtabit elektoral në Çikago, një ditë pas marrjes së mandatit të dytë presidencial. Me një video prekëse, e përhapur nga “Organizing For America”, Obama shfaqet me këmishë të bardhë, kravatë gri të liruar, tepër krenar për të gjithë stafin që bashkëpunon me të. Fjalimi zgjat pesë minuta dhe nis me rrëfimin e Barack se si arriti në Çikago dhe punoi si vullnetar, me dëshirën për të ndihmuar njerëzit që vuanin, të pashpresët në periferi të Çikagos. “Puna që bëra, gjërat që mësova ata muaj, më ndryshuan shumë më tepër se sa unë arrita t’u ndryshoj jetën e atyre njerëzve. Njoha shpresat dhe aspiratat e njerëzve të thjeshtë, objektivat që të gjithë ne kemi, pavarësisht dallimeve që kemi. Mësova se çfarë do të thotë të punosh fort, të përballosh dhe kalosh zhgënjimet. Kështu u bëra njeri i pjekur dhe burrë”, thotë Obama.


Më tej, Barack ka treguar se si vendosi të merrej me politikë, sesa krenar ndihej për bashkëpunimin me këta të rinj, te të cilët gjente veten. Me sytë me lot dhe zërin e mallëngjyer ai ka thënë: “Pavarësisht rezultateve, mendoja se me këto zgjedhje, kisha përfunduar një cikël. Por ajo që ju bëtë, më bëri të kuptoj se ajo çfarë unë bëj, është e rëndësishme. E kjo më mbush me krenari. Duhet të dini se puna juaj, pa diskutim, do të mbetet në librat e historisë. Por gjëja më e rëndësishme që duhet të dini është se udhëtimi juaj sapo ka nisur. Jam i bindur se çfarëdolloj gjëje që do të bëjmë gjatë 4 viteve të ardhshme, nuk do të jetë asgjë në krahasim me atë që ju do të arrini të bëni në vitet që do të vijnë”.

Stafi i ri, kush do ta zëvendësojë Hillary Clinton?


Rikthimi i Presidentit Obama edhe për katër vjet të tjera në krye të Shtëpisë së Bardhë pritet të shoqërohet me ndryshime të rëndësishme në administratën e tij.


Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, ka konfirmuar se Hillary Clinton do t’i paraqesë dorëheqjen Presidentit Barack Obama. “Kam dyshimet e mia se planet e sekretares së Shtetit kanë ndryshuar. Ajo ka deklaruar disa herë se dëshiron të lërë pas pushtetin dhe t’i rikthehet jetës private”, i është përgjigjur diplomatja pyetjes së gazetarëve për fatin e Clinton. Më tej, Nuland nuk ka pranuar të komentojë se cilat do të jenë çështjet ndërkombëtare që do të jenë prioritare për administratën e re të SHBA-së. Pas deklaratës së DASH, kanë nisur spekulimet për personazhet që do shoqërojnë Obama-n në mandatin e dytë presidencial dhe cili do të jetë zëvendësi i Clinton. Deri më tani, është e sigurt se zëvendëspresidenti Joe Biden do të qëndrojë në detyrë, ndërsa emrat që po përfliten më së shumti për sekretar Shteti janë senatori John Kerry dhe ambasadorja e OKB-së, Susan Rice. Parashikohet që zgjedhja do të jetë e vështirë, sepse do të jenë përballë Susan Rice, mike e ngushtë e Obama-s dhe John Kerry, kreut të fortë të Komisionit të Jashtëm në Senat dhe “trajneri” i Obama-s në debate. Analistët mendojnë se fjalimi i Kerry gjatë Konventës së Charlotte, do të jetë një pikë në favor të tij. Në atë kohë, ndërhyrja e tij u vlerësua si një ndër fjalimet më të mira të vitit në politikën e jashtme amerikane. Ndërkaq pritet që Eric Holder, kreu i Departamentit të Drejtësisë, të zëvendësohet nga guvernatorin e Massachusetts, Deval Patrick. Përflitet se edhe David Plouffe, këshilltar i veçantë i Obama-s, do të zëvendësohet nga Ron Klain, ish-shefi i stafit të Joe Biden. Vëmendja është përqendruar se cili do të drejtojë Departamentin e Thesarit pas Timothy Geithner, i cili ka deklaruar se do të largohet nga detyra. Për momentin përflitet Lawrence Summers, sekretar i Thesarit në kohën e Presidencës së Bill Clinton dhe drejtor i “National Economic Council” të Obama. Megjithatë në listë janë futur edhe administratori i deleguar i “BlackRock”, Lawrence Fink, presidenti i “Evercore Partners”, Roger Altman, dhe numri 1 i “American Express”, Kenneth Chenault.