Vendet e Amerikës Latine po ngrenë zërin mbi gjakderdhjen e krijuar nga lufta kundër drogës
Brian Winter, Reuters
Presidenti Barack Obama pritet të përballet me një revoltë të paprecedentë nga vendet e Amerikës Latine kundër luftës së udhëhequr nga SHBA kundër drogës. Obama nisi mandatin e tij të dytë, përgjatë së cilit pritet të vuajë ca në miratimin e marrëveshjeve të reja tregtare me rajonin që dikur njihej si “kopshti i pasmë” i SHBA-së, por tashmë është në gjendje të tregojë muskuj si kurrë më parë.
Aftësia e Uashingtonit për të ndikuar ngjarjet në Amerikën Latine thuhet se nuk ka qenë kurrë më e ulët se sot. Realiteti i ri është po aq pasojë e vështirësive ekonomike në SHBA sa edhe pasojë e zhvillimit të demokracisë dhe mirëqenies në shumicën e vendeve të këtij rajoni me 580 milionë banorë gjatë dekadës së fundit.
Gjithsesi, SHBA është ende jo shumë e prekur. Megjithëse disa udhëheqës antiamerikanë si Hugo Chavez i Venezuelës kërkojnë të kapin vëmendjen e medias, Obama disponon marrëdhënie të mira me Brazilin, Meksikën dhe vende të tjera të mëdha të rajonit.
Shumë nga udhëheqësit e Amerikës Latine, privatisht apo publikisht mbështetën rizgjedhjen e tij. Por edhe aleatët më të ngushtë tashmë po veprojnë pa u shqetësuar shumë se çfarë mendon “Tio Sam”. Dhe kjo është shumë e dukshme në politikën kundër drogës. Gjatë këtij viti, si kurrë më parë, shumë qeveri kanë sfiduar politikat dyzetvjeçare që ka nxitur dhe mbështetur Uashingtoni, të cilat kërkojnë të shkatërrojnë prodhimin dhe kontrabandimin e kokainës, marijuanës dhe drogave të tjera në rajon. Arsyeja e rebelimit është fakti se një pjesë e popullatës së këtyre vendeve e konsiderojnë gjakderdhjen e shkaktuar nga “lufta kundër drogës” të pakuptimtë, ndërsa shumë udhëheqës besojnë se vetë SHBA-ja nuk ka bërë mjaftueshëm për të reduktuar kërkesën e vet për drogë. Ankesa të tilla nuk janë të reja, por deri së fundmi, kanë qenë thënë vetëm në ambiente private. Në prill, shumë presidentë vunë publikisht në dyshim politikat kundër drogës në një samit rajonal ku mori pjesë edhe Obama. Në shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, udhëheqësit e Meksikës, Kolumbisë dhe Guatemalës, tri vende historikisht aleatë të besueshëm të SHBA-së në luftën kundër drogës, u bënë thirrje qeverive të botës të eksplorojnë alternativa të tjera kundër problemit.
Qëndrim i ri
Obama dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë lobuar fort kundër legalizimit të drogës apo dobësimit të luftës kundër grupimeve kriminale të fuqishme. Megjithatë, disa udhëheqës dhe vëzhgues me lidhje të forta në Amerikën Latine parashikojnë një ndryshim thelbësor në vitet e ardhshme.
“Tabuja është thyer”, thotë Moises Naim, një kërkues i lartë në organizatën “Carnegie” në Uashington. “Viti 2012 do të njihet si viti kur qeveritë e Amerikës Latine u bënë më me besim në vetvete dhe filluan të bëjnë ndryshime në kokë të vet”.
Mbetet e paqartë se çfarë ekzaktësisht do të ndryshojë ose se sa vende do të përfshihen në ndryshim.
Disa udhëheqës, si Presidenti i Guatemalës, Otto Perez, ka propozuar publikisht legalizimin apo “dekriminalizimin” e disa llojeve të drogave. Disa të tjerë kanë propozuar ndryshime më të vogla si legalizimi i marijuanës. Presidenti i Meksikës foli pa shumë vendosmëri për një përqasje më “pak prohibicioniste”.
Uruguai ka shkuar më larg, duke propozuar një ligj që do të legalizojë marijuanën dhe do të krijojë një monopol publik për shpërndarjen e saj. Kjo lëvizje ende shihet si tepër ekstreme në shumë vende në rajon, por ndërkohë, javën e kaluar, votuesit në shtetet e Uashingtonit dhe Kolorados në SHBA vendosën të legalizojnë marijuanën për arsye dëfrimi dhe treguan se edhe status quo-ja në SHBA po ndryshon.
“Askush nuk e di se ku do të shkojë kjo”, thotë Fernando Henrique Cardoso, ish-president i Brazilit dhe pjesë e një grupi të rëndësishëm shtetarësh që po nxisin debatin. “Unë e konsideroj këtë si një fazë eksperimentale”, i tha ai “Reuters”. “Ajo po ecën përpara dhe duket se do të ketë ndryshime… Askush nuk duket shumë i shqetësuar për faktin se si do të reagojë SHBA-ja”.
Demokracia është e komplikuar
Cardosio, 81 vjeç, mban mend epokën e ambasadorëve shumë të fuqishëm amerikanë dhe të ashtuquajturat “republikat e bananeve” kur Uashingtoni luajti shpesh një rol në vendosjen e udhëheqësve në vende të ndryshme apo në rrëzimin e atyre që hasën në kundërshti. Kjo periudhë praktikisht përfundoi bashkë me Luftën e Ftohtë. Megjithatë, edhe vetëm një dekadë më parë, SHBA-ja kishte ende më shumë ndikim se sa kanë sot për shkak të tregtisë, ndihmës së huaj dhe kredive nga grupime të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku Uashingtoni luan një rol të madh.
Rënia ekonomike e Shteteve të Bashkuara ka ndihmuar në ndryshimin e kësaj dinamike. Por edhe shumë vende të Amerikës Latine kanë përjetuar rritje ekonomike në bazë të gjerë, gjë që ka nxjerrë rreth 50 milionë njerëz në statusin e shtresës së mesme dhe ka ndihmuar vende si Brazili të paguajnë borxhet e tyre te FMN. Për rrjedhojë i gjithë rajoni është bërë më pak i prekshëm nga presioni i huaj.
Megjithëse ka përjashtime, Amerika Latine në tërësi është bërë më demokratike. Kjo gjë e bën më të komplikuar për Uashingtonin të ndikojë në ngjarjet e vendeve të ndryshme, siç ka vepruar gjatë shekullit të njëzetë kur një sekretar shteti përshkroi një diktator të Karaibeve “një këlysh kurve, por ama i yni.”
“Po të duash mund të qeshësh, por fakti është se aktualisht nuk ka më asnjë këlysh kurve tërësisht nën kontrollin amerikan në ato vende”, thotë Shannon O’Neil, një eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare. “Por ka ende njerëz në Uashington që nuk e kanë kuptuar ende tërësisht se demokracitë atje janë po aq të komplikuara sa e jona… dhe se kjo gjë është e dhimbshme disa herë”.
Ajo thotë se zhvillimi demokratik ndihmon në shpjegimin e reagimeve të fundit ndaj politikës kundër drogës. “Ajo çfarë po shohim është një zemërim popullor kundër dhunës dhe këto qeveri janë duke iu përgjigjur zemërimit”.
Të dërguarit amerikanë tashmë kanë më shumë respekt për sovranitetin e këtyre vendeve, por sërish qarkullojnë në rajon dhe paralajmërojnë mbi rreziqet që krijojnë ndryshimet. Obama tha pak para samitit të prillit se legalizimi i drogës nuk do të eliminojë dhunën e karteleve dhe se një sistem i tillë “do të jetë po aq i korruptuar apo edhe më shumë i korruptuar sesa statusquo-ja.”
Disa vende si Peruja u janë përgjigjur paralajmërimeve të tilla me intensifikim të luftës kundër drogës, Alvaro Uribe, i cili qe një aleat i fuqishëm i amerikanëve si president i Kolumbisë mes viteve 2002 dhe 2010 dhe që takohet rregullisht me udhëheqësit që po nxisin debatin mbi drogën, thotë se ndryshimet mund të jenë më të dobëta nga sa duken. “Shumë prej propozimeve vijnë m gjysmë zëri. Edhe privatisht, shumë pak flitet për ndryshime thelbësore”, thotë ai.
Uribe, Cardoso dhe të tjerë janë të mendimit se Presidenti i ardhshëm i Meksikës, Enrique Pena Nieto, do të jetë çelësi për zgjidhjen e mozaikut për shkak të përmasave të këtij vendi dhe afërsisë me Shtetet e Bashkuara. Meksika ka qenë fushëbeteja më e madhe kundër drogës dhe dhuna këtu ka shkaktuar mbi 60 mijë viktima në gjashtë vitet e shkuara. Pena Nieto ka gjasa që të diskutojë me Obamën politikën kundër drogës kur të takohet me të në dhjetor. Ndihmësit e tij thonë se Presidenti i ri e kundërshton legalizimin, megjithëse guvernatori i shtetit të Çinhuahua, Cesar Duarte, një aleat i tij, i tha “Reuters” se Meksika mund të legalizojë eksportimin e marijuanës dhe do të mendojë për ndryshime të tjera pas referendumeve në Uashington dhe Kolorado.