2 Obama 1Takimi


Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kanë kërkuar sërish dorëheqjen e pushtetmbajtësit në Siri, Baschar al-Assad. Erdogan po qëndron në Uashington për bisedime.


Pas bisedimeve shumëorëshe të kryera mes Obamës dhe Erdoganit, Presidenti Obama mbetet me idenë se, SHBA rezervon të drejtën për të sulmuar Sirinë ushtarakisht, pavarësisht marrëveshjes së mëparshme me Rusinë, që shprehej për një zgjidhje të negociueshme për t’i dhënë fund luftës civile në Siri.


Ka shumë të prekur dhe shumë bashkëlojtarë në këtë konflikt. Por Turqia është partneri më i rëndësishëm, për të ardhmen e Sirisë pa Presidentin Baschal al-Assad, mendohet në SHBA.


Presidenti Barack Obama e di që Turqia ka një kufi në gjatësi prej 900 kilometra të gjatë me Sirinë dhe konflikti atje është brenga më e madhe e Kryeministrit Erdogan.


Në anën tjetër, Erdogan e di se nikoqiri i tij nuk ka ndonjë interes të drejtpërdrejtë për ndërhyrje ushtarake në Siri.


Obama tha se “përdorimi i armëve kimike kundër civilëve është një temë tabu”, e cila nuk guxon të ndodhë. Por edhe në takimin me Erdoganin është folur për faktin që në Siri janë përdorur edhe armë të ndaluara. Por kush i ka përdorë ato dhe cilat janë qëllimet?


Erdogan nuk do të flasë për këtë çështje. Presidenti amerikan gjendet tani në një pozitë shumë të vështirë, sepse në gusht të vitit të kaluar ka deklaruar se përdorimi i armëve kimike është “linja e kuqe” e cila nuk do të tolerohet.


“SHBA po angazhohet në forma të ndryshme dhe po përgatit hapa të ndryshëm – diplomatikë dhe ushtarakë. Por ky është një problem ndërkombëtar dhe shpresoj shumë se me të gjithë partnerët së bashku, duke përfshirë këtu edhe Turqinë, do të gjendjet një zgjidhje e përbashkët për vendosjen e paqes në Siri dhe në këtë rajon. SHBA nuk do të ndërhyjë vetë dhe besoj se askush, pra as Kryeministri Erdogan, nuk mendon se ndërhyrja e njëanshme amerikane do të sillte rezultate më të mira”, pohon Obama.


Të dy politikanët nuk u pyetën dhe nuk folën asnjë fjalë për furnizimin e opozitës në Siri me armë.


Obama dhe Erdogan, si dhe shumë ushtarakë dhe pjesëtarë të tjerë të qeverisë, do të vazhdojnë negociatat dhe konsultimet për konfliktin e Sirisë dhe armët biologjike.


Do të bisedohet për pasojat e mundshme politike, ekonomike dhe ushtarake të konfliktit. Turqia është më shumë se Uashingtoni i ngarkuar edhe me problemin e qindra mijëra refugjatëve, të cilët kanë ikur nga Siria në Turqi dhe janë strehuar atje.


Strehimi i tyre kushton shumë dhe Turqia është e interesuar që të gjendet një zgjidhje edhe për këtë problem.