Takimi në Kopenhagen 


Vangjel TavoOrganizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar mbështetjen për Shëndetësinë Shqiptare. Asistencën e OBSH e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, gjatë vizitës së zhvilluar në selinë e Zyrës së OBSH për Evropën në Kopenhagë të Danimarkës. Vizita e ministrit Tavo u zhvillua pas ftesës së dërguar nga drejtoresha e OBSH për Rajonin Suzan Jakab.


Nevoja për një sistem shëndetësor me mbulesë universale dhe mbrojtje financiare të pacientëve, mbrojtja e shëndetit dhe parandalimi i sëmundjeve infektive, kontrolli i sëmundjeve kronike, si dhe bashkëpunimi i frytshëm për iniciativa rajonale ishin tema kryesore të bisedës. OBSH ka dhënë superlativa për skemën dhe mbulimin vaksinal në vendin tonë.


Pasi u shpreh me nota pozitive mbi arritjet në fushën e imunizimit, shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe tentativat e para pozitive për zbatimin e ligjit antiduhan, Jakab e ka siguruar ministrin Tavo për mbështetjen e saj personale në hartimin e projekteve të përbashkëta në fushat e sipërpërmendura.


“Ne po punojmë për të përmirësuar shëndetin e gjithë qytetarëve tanë. Shëndeti është një aspiratë e përbashkët njerëzore dhe përparësi e lartë dhe kjo qëndron në thelb të asaj që e bën një shoqëri moderne, tha ministri Tavo gjatë takimit duke vlerësuar ndihmën e madhe të dhënë nga OBSH ndër vite dhe veçanërisht në rastet e emergjencave natyrore dhe shëndetësore.