Një 26-vjeçar shqiptar, Genti Berisha, është vendosur në arrest shtëpiak me byzylyk elektronik në Itali, pas ngjarjes ku humbi jetën një oficer i policisë lokale milaneze gjatë një ndjekjeje me shpejtësi të lartë.
Ngjarja ka ndodhur në Milano, ku oficeri 39-vjeçar Francesco Imprezzabile ra nga motoçikleta e tij gjatë një ndjekjeje që, sipas raportimeve, arriti deri në 180 km/h.
Sipas autoriteteve italiane, Berisha akuzohet për shmangie nga pakujdesia dhe shkaktim vdekjeje, pasi dyshohet se nuk iu bind një sinjali ndalimi, duke çuar në ndjekjen fatale. Hetimet paraprake tregojnë se oficerit i ka humbur kontrolli dhe ka rënë nga motori gjatë operacionit.
Avokati i të riut, Fabrizio Cardinali, ka deklaruar për mediat se klienti i tij ka pranuar përgjegjësinë dhe ka kërkuar falje për ngjarjen. Sipas tij, gjatë marrjes në pyetje, 26-vjeçari e ka cilësuar veprimin e tij si “instiktiv dhe të pamatur”, duke shprehur keqardhje për atë që ndodhi.
Mbrojtja ka bërë me dije gjithashtu se i riu është i gatshëm të dëmshpërblejë familjen e viktimës brenda mundësive të tij ekonomike.
Sipas dëshmisë së dhënë, ai ka pranuar se nuk u ndal në një pikë kontrolli në zonën e Ponte Lambro, pasi dyshohet se kishte me vete substanca të paligjshme, çka ka çuar në nisjen e ndjekjes policore.
