Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Edmond Ruçi, efektivit të Komisariatit të Sarandë, i akuzuar për korrupsion pasiv.
Sipas burimeve hetimore, oficeri kishte siguruar përgjime që lidhnin dy vëllezër të arrestuar për shpërndarje droge, ndërsa më pas dyshohet se ka takuar nënën e tyre duke i kërkuar para në këmbim të mbylljes së hetimeve.
Burimet bëjnë me dije se nëna kishte kontaktuar me djemtë për t’u treguar bisedën me efektivin, ndërsa komunikimet telefonike janë regjistruar.
Hetimet morën një kthesë të papritur pasi vetë oficeri dyshohet se dorëzoi pa dashje provat kundër vetes në Prokurori. Sipas të dhënave paraprake, Edmond Ruçi ka dorëzuar materialet e përgjimeve pa hequr komunikimet komprometuese që implikonin atë në çështje.
Pas zbardhjes së bisedave, Prokuroria urdhëroi arrestimin e tij për akuzën e korrupsionit pasiv.
