Hetimi nisi për korrupsion, por zbuloi linjën e trafikut nga Turqia


Efektivi u dyshua se shiste informacion për kapon me pseudonimin “Gjyshi”, por më pas doli që ai ishte pjesë e rrjetit


Bledi Gilaj


Duke punuar për 2 vjet e tetë muaj te përgjimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ai kishte mësuar të gjitha teknikat sesi t’i shpëtojë gjurmimit të agjentëve. Megjithatë, ai ka bërë një gabim pas një kurthi që i kishte ngritur vetë policia, duke menduar se ndaj tij nuk kishin asnjë dyshim për lidhje kriminale. Por, kjo i ka kushtuar shumë, ndërkohë që edhe vetë grupi hetimor, i cili kishte nisur hetimet për korrupsion ndaj oficerit, ka mbetur i shtangur, pasi ka rezultuar se ai nuk shiste vetëm informacion te trafikantët e drogës, por merrej vetë me trafikun e saj. Bëhet fjalë për oficerin e arrestuar dy net më parë, Anoril Cani, që së fundmi ishte me detyrë te sektori i antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, i cili u kap në Tiranë bashkë me katër persona të tjerë, teksa po transportonin mbi 27 kg heroinë të pastër dhe rreth 160 kg përzierës droge. Ministria e Brendshme ka dhënë detajet e operacionit, ndërkohë që hetimet mësohet se kishin nisur rreth tre muaj më parë.



Dyshimet për korrupsion


Sipas të dhënave pranë grupit hetimor, mësohet se disa muaj më parë ishin ngritur dyshimet se oficeri 31-vjeçar, Anoril Cani, duke punuar te sektori i përgjimeve, shiste informacione në interes të grupeve kriminale, kryesisht të trafikut të drogës, që dëmtonin punën hetimore të policisë dhe prokurorisë. Në këto kushte, u bë transferimi i tij në Drejtorinë e Policisë së Dibrës dhe Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme nisi hetimet për të. Por, gjatë hetimit, agjentët e kishin shumë të vështirë për të faktuar shpërdorimin e detyrës nga ana e tij, pasi ai i njihte shumë mirë teknikat e përgjimeve policore dhe ruhej jashtë mase. Në këto kushte, policia i ka përgatitur një kurth, duke e dërguar me detyrë në Sektorin e Antidrogës, që varet nga Departamenti i Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai dyshohet se aty ka menduar se nuk ka ndonjë hetim ndaj tij dhe ka filluar të veprojë më lirisht. Në këto kushte, SHKB-ja, e cila e hetonte për shpërdorim detyre, ka filluar të identifikojë bashkëpunëtorët e tij. Fillimisht është zbuluar se ai kishte kontakte me Ilir Shehajn, 46 vjeç, i cili njihet edhe si pronar furrash buke, me pseudonimin “Gjyshi”. Sipas të dhënave, fillimisht, Anoril Cani merrte përsipër që të kujdesej për transportin e drogës, ndërsa më vonë ai dyshohet se e transportonte vetë lëndën narkotike.


 


Trafiku dhe laboratori


Duke parë situatën, dyshimet për shpërdorim detyre kanë kaluar në një tjetër akuzë për oficerin 31-vjeçar, atë të mbajtjes dhe shpërndarjes së lëndës narkotike. Sipas hetimeve të SHKB-së, grupi, i drejtuar nga Shehaj, dyshohet se e merrte drogën në Turqi dhe nëpërmjet rrugëve të ndryshme, e sillte në Shqipëri. Kur heroina futej në territorin shqiptar, Anoril Cani shoqëronte transportuesit nga kufiri deri në laborator, ku bëhej përzierja e saj dhe përgatitja për shitje dhe paguhej për këtë shërbim. Më pas, ai dyshohet se e ka transportuar vetë lëndën narkotike, duke u bërë pjesë e rrjetit, e duke rritur përfitimet e veta. Sipas të dhënave, laboratori ndodhej vetëm pak metra larg postës së policisë në Vorë të Tiranës, megjithëse policisë i janë dashur dy muaj për ta zbuluar, pasi grupi ishte tejet i kamufluar. Aty, droga përgatitej për shitje dhe më pas, me transportues të tjerë, ajo çohej drejt Elbasanit, ku e kontrollonin Gentian Gjoka, i njohur me pseudonimin “Papu” dhe Everest Hoxholli, i njohur me pseudonimin “Nipçja”. Kështu po veprohej edhe me sasinë e fundit, kur ata u arrestuan nga forcat speciale të policisë, të cilat i mbanin në vëzhgim prej tre muajsh personat e përfshirë në këtë linjë trafiku, që aktualisht janë arrestuar vetëm për mbajtje dhe shitje të lëndës narkotike.


Detajet e operacionit


Policit iu gjetën edhe rreth tre kg eksploziv


Ministria e Brendshme: U arrestuan 5 persona dhe u bllokuan mbi 27 kg heroinë


Ministria e Brendshme ka zbardhur dje detajet e operacionit, duke deklaruar se janë bllokuar mbi 27 kg heroinë e pastër dhe rreth 160 kg përzierës kokaine dhe heroine, por që fillimisht u dyshua se një pjesë e saj ishte kokainë. Ndërkaq, në pranga kanë përfunduar pesë persona, ndërkohë që janë shoqëruar gjashtë të tjerë. Zëdhënësi, Leonard Olli deklaroi se pas një hetimi tremujor, duke përdorur metoda speciale të hetimit, strukturat e SHKB-së, në bashkëpunim me njësinë e posaçme “Task-Force” të Prokurorisë së Tiranës si dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, përfunduan me sukses operacionin e koduar “Specialisti”, i shtrirë në qytetet Tiranë, Vorë dhe Elbasan, duke arrestuar pesë persona, të cilët dyshohet se funksionin si grup i strukturuar kriminal. Në pranga kanë përfunduar pesë persona, mes të cilëve edhe një oficer policie. “Arrestimi i tyre u krye pasi u kapën në kushtet e flagrancës, në Tiranë dhe Vorë, me 27.7 kg heroinë”, deklaroi Olli. Sipas tij, gjatë operacionit janë kapur gjithashtu 28 kg përzierës kokaine, që fillimisht u mendua se ishte kokainë, 141 kg përzierës heroine dje 0.8 gramë kokainë e pastër. Këto u kapën në laboratorin, që ishte në qytetin e Vorës. Gjithashtu, në banesën e punonjësit të policisë janë bllokuar 980 gramë lëndë eksplozive, me fuqi të lartë të tipit C4, 2 kg tritol, kapsolla detonatorë, ndezës, rreth 400 fishekë luftarakë të modeleve të ndryshme. Ndërsa në momentin e arrestimit, veç heroinë, e cila arrin një vlerë rreth 1 milion euro, u sekuestruan një pistoletë e tipit TT, 13. 100 euro, 6 milionë lekë, peshore elektronike, si dhe mjete të tjera për  paketimin dhe shpërndarjen e drogës. Gjithashtu, të arrestuarve iu sekuestruan 26 celularë dhe 4 automjete, me të cilat transportohej droga. Bazuar në të dhënat që disponohen, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, si bashkëpunëtorë të implikuar në këtë çështje. Aktet e veprimeve hetimore të kryera i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pas mesnate, oficerët e SHKB-së dhe prokurorë të Task Forcë të Prokurorisë së Tiranës, shoqëruan edhe gjashtë persona të tjerë, konkretisht shtetasit Gazmir e Besnik Pangji, Ermir Velaj, Ledio Lila, Leonard Gjoni dhe Kujtim Dulo, por mësohet se ata janë lënë të lirë.


 


Të arrestuarit



  • Anoril Naim Cani, 31 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në Tiranë, me detyrë specialist në Departamentin e Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit

  • Ilir Petrit Shehaj, 46 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i njohur me pseudonimin “Gjyshi”

  • Gentian Tanas Gjoka, 32 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i njohur me pseudonimin “Papu”

  • Mandrit Manush Dulo, 38 vjeç, lindur dhe banues në Vorë

  • Everest Fatmir Hoxholli, 27 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Elbasan, i njohur me pseudonimin  “Nipçja”