Prokuroria e Fierit lëshon urdhër-ndalimin për policin. SHKB nis hetimet
Efektivi i Policisë së Fierit, Nazmi Prezeli, e goditi me grushte kryetarin e komunës, derisa e gjakosi
Edmond Hoxhaj
Një oficer policie ka përfunduar në pranga, pasi ka masakruar me grushte kryetarin e Komunës së Libofshës në oborrin e Prokurorisë së Fierit. Ngjarja ka ndodhur dje rreth mesditës në qendër të qytetit të Fierit, brenda rrethimit të organit të akuzës. Mësohet se kryetari i Komunës së Libofshës, Naun Doko, një ish-zyrtar i Policisë së Fierit, ka qenë pranë ambienteve të Prokurorisë e Gjykatës së Fierit, pasi ka pasur një çështje gjyqësore me CEZ. Nga burime të besueshme të gazetës “Shqip” është mësuar se Doko ka pasur një konflikt të mëparshëm me oficerin e policisë që shërben pranë Drejtorisë së Policisë së Fierit, Nazmi Prezeli, i cili pretendonte se kishte një hapësirë toke në territorin e komunës që drejton i dëmtuari. Ndërsa burime zyrtare nga Këshilli i Komunës së Libofshës kanë pohuar se efektivi i policisë Nazmi Prezeli, nuk kishte pasur kurrë sipërfaqe toke në territorin e kësaj njësie vendore, por e pretendonte atë me anë të dokumenteve të parregullta.
Ngjarja
Mësohet se dje, gjatë gjithë paradites, kryekomunari Doko ka marrë kërcënime në telefon nga oficeri i policisë Prezeli. Në mesditë, kur Doko është ndodhur në oborrin e Prokurorisë së Fierit, aty ka mbërritur edhe efektivi Prezeli, i cili e ka ofenduar dhe e ka goditur me grushte, duke e gjakosur. Në moment kanë ndërhyrë punonjës dhe prokurorë, të cilët kanë mundur të shuajnë konfliktin. Oficeri i policisë, që për një kohë ka shërbyer në Komisariatin e Ballshit, është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa kryekomunari Naun Doko ka depozituar në prokurori kallëzim penal ndaj tij për “goditje për shkak të detyrës”. Mësohet se menjëherë pas kallëzimit për ngjarjen e ndodhur në oborrin e organit të akuzës, Prokuroria e Fierit ka nxjerrë urdhër-ndalimin ndaj efektivit Prezeli. Por, deri në orët e mbrëmjes së djeshme, burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Fierit, të pyetur nga gazeta Shqip”, janë shprehur se nuk janë duke e hetuar ata ngjarjen, por Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë. Burime nga kjo drejtori pohuan dje për “Shqip” se janë duke e hetuar çështjen, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është deklaruar se është kryer arrestimi i agresorit. Megjithatë, i arrestuari ka pretenduar se edhe ai është goditur nga kryekomunari, ndërkohë që kishte shkuar në spital për të marrë raport mjekësor, për plagët e shkaktuara.
Konflikti
Nga burime zyrtare pranë Komunës së Libofshës të Rrethit të Fierit, është mësuar se prej disa kohësh, oficeri i policisë Nazmi Prezeli pretendonte se zotëronte një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore në territorin e kësaj njësie vendore. Por, sipas burimeve, Prezeli kishte paraqitur dokumente të falsifikuara për të mbrojtur pretendimin dhe se rezultonte të mos kishte pasur asnjëherë tokë në territorin e kësaj komune. Ndërkaq, këshilli i kësaj komune kishte vendosur që sipërfaqet e lira në pronësi të saj t’i lëshonte me qira për kullota. Pas këtij vendimi të Këshillit të Komunës së Libofshës është irrituar punonjësi i policisë Nazmi Prezeli, i cili, sipas kryekomunarit Doko, ka nisur ta kërcënojë.
Pretendimi
Kryekomunari: Polici po manipulon provat
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, kryetari i Komunës së Libofshës, Naun Doko, ka shfaqur për mediat pretendimet se po manipulohen provat lidhur me ngjarjen nga ku ai doli i dëmtuar. Sipas tij, ndalimi i oficerit Prezeli është kryer në ambientet e spitalit, edhe pse ai ka qenë agresori dhe jo i dëmtuari. Kryekomunari Doko ka shpjeguar se shtrimi i oficerit të policisë, Nazmi Prezeli, në spital dhe sigurimi i raporteve mjekësore edhe pse nuk ka qenë aspak i dëmtuar gjatë konfliktit të ndodhur në oborrin e prokurorisë, është thjesht një sajim dhe manipulim provash. Doko ka theksuar se ai ka dëshmitarë që kanë parë se ai nuk e ka goditur oficerin Prezeli, por ka qenë ky i fundit që e ka qëlluar mbi kryekomunarin. Më tej, Naun Doko ka shtuar se për këtë manipulim që po ndodh do të mbajë ditën e sotme një qëndrim publik në prani të gjitha mediave.