Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për ndryshimin e masës arrest me burg.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Nertina Kosova, sot më datë 24.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 68 akti, datë 17.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit E.V: ‘Ankim kundër vendimit nr. 118, datë 01.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, me një masë sigurimi më të butë si ‘Garancia pasurore’, parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale ose ‘Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale’, si vijon: – Miratimin e vendimit nr. 118, datë 01.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. U shpall në Tiranë, sot më datë 24.02.2026”, thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, seanca u mbajt me dyer të mbyllura, e drejtuar nga Nertina Kosova. Veliaj kërkoi të jetë vetë i pranishëm dhe refuzoi të përfaqësohet nga avokatët e tij. Veliaj ju drejtua Apelit të Posaçëm pasi gjyqtarja e hetimit Etleva Deda e refuzoi kërkesën për të ndryshuar masën.
Javën e kaluar, kryebashiaku i Tiranës dhe 29 të pandehur të tjerë kaluan në gjykim themeli pas afro pesë muajsh seancë paraprake.


