Në Tiranë është goditur një rast i mashtrimit kompjuterik, ku si pasojë është arrestuar autori kryesor i ngjarjes, shtetasi Orlando Gjoka, 21 vjeç, banues në Laç, ndërkohë që dy shtetas të tjerë, D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç, janë proceduar penalisht.
Sipas hetimeve, shtetasi Orlando Gjoka kishte krijuar një profil të rremë në rrjetet sociale, duke përdorur logon dhe emrin e një banke të njohur, me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte viktimat përmes platformave online, duke iu ofruar kredi të rreme nga banka. Nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë bankare të qytetarëve, Gjoka arrinte të boshatiste fondet e tyre. Kur llogaritë ishin të zbrazura, ai shtynte qytetarët që të depozitonin shuma të mëdha, që varionin nga 750 deri në 1.500 euro, duke i premtuar një kredi prej 15.000 eurosh.
Operacioni për arrestimin e autorëve u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale. Në kuadër të hetimeve, është bërë e mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e aktivitetit të tij të paligjshëm.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.
