Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt, duke theksuar se prioriteti është të fillohet menjëherë puna për organizimin e zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Tiranës. Ai ka vënë theksin te nevoja urgjente për një udhëheqje të re, duke e cilësuar të papranueshëm faktin që kryeqyteti të mbetet pa një lider.

Kryeministri ka pohuar se puna për zgjedhjet e reja do të nisë pa humbur kohë dhe se kandidatura e Orgetës ka marrë mbështetje të gjerë brenda partisë. Ai e ka cilësuar Orgetën si një kandidatë të denjë, me ambicie dhe aftësi për të udhëhequr Tiranën në mënyrën më të qetë dhe të organizuar të mundshme. Rama ka shtuar se, për të, fitorja është e sigurt dhe se rivalët e Orgetës do të dalin të humbur nga këto zgjedhje.

“Qoftë tezgat dhe pasqyrat gjysmë të vërtetave ndaj tij, janë tema ku ne nuk mund të hymë si palë, sepse të merresh me karikaturat është humbje kohe, ndërsa të merresh me drejtësinë është humbje busulle. Në një histori drejtësie plotë pikëpyetje, që nuk dihet sa do të zgjasë, mos ta marrë peng kryetar i Shqipërisë.

Puna jonë është të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun në Bashkinë e Tiranës, sepse Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset pafundësisht me një Tiranë pa kokë, e cila, duke mos pasur një të zgjedhur në krye të saj, mos të ketë mundësinë t’i udhëheqë ata drejt së ardhmes.

Sot të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë, ku me kandidaten e duhur, me ambicien e duhur dhe me organizimin e duhur do të marrim rezultatin e duhur, për t’i dhënë lokomotivës së Shqipërisë shpejtësinë e duhur.

Më vjen shumë mirë që kandidatura e Orgetës ka gjetur mbështetjen e familjes sonë të madhe politike, ku të gjithë e çmojnë kandidaten tonë për Tiranën dhe është radha e saj për ta udhëhequr Tiranën me qetësinë që e ka karakterizuar gjithnjë në detyrat që ka kryer deri tani.

Aq e fortë është qasja e Orgetës ndaj bashkisë, saqë aq pak interes ka kush do të jetë rivali i saj nga partitë e tjera, që do të hyjnë të humbur dhe do të dalin akoma më të humbur”, tha Rama.