Detaje të reja janë zbuluar rreth ngjarjes që ndodhi mëngjesin e kësaj të mërkure në fshatin Kërçisht, Maqellarë, ku një operacion i policisë për kapjen e një personi shumë të kërkuar ka përfunduar me plagosjen e një prej efektivëve të forcave speciale “Shqiponja”.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Dibrës, ngjarja ka ndodhur gjatë një ndërhyrjeje për arrestimin e Klodian Llomit (Mazari), 35 vjeç, i shpallur në kërkim dhe i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë. Gjatë operacionit, forcat e policisë janë futur në një banesë trekatëshe për të arrestuar Llomin, por gjatë ndërhyrjes, efektivi Gentjan Meda ka rënë aksidentalisht nga muri rrethues dhe ka pësuar dëmtime serioze në kokë.
Një banore e zonës, e cila ka qenë ndër të parat që ka gjetur efektivin të gjakosur, ka treguar se ai mund të kishte rënë nga lartësia disa minuta para se të gjendej. “Oh vdiqa, tha. Ishte i përgjakur dhe i shtrirë aty tek gurët. Zoti e shpëtoftë. Ai mund të ketë rënë më herët, mund të ketë qenë ora 6”, tha ajo.
Pasi mori ndihmën e parë në spitalin e Peshkopisë, Meda u transportua me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Fillimisht, u ngritën dyshime se efektivi mund të ishte shtyrë nga Llomi dhe se mund të kishte pasur përdorim të armës së zjarrit, pasi në zonë ishin dëgjuar krisma. Megjithatë, kjo pistë është hedhur poshtë nga policia, e cila ka sqaruar se ndodhia ishte aksidentale.
Ndërkohë, gjatë këtij operacioni policor, efektivët kanë mundur të arrestojnë Klodian Llomin, i cili është i akuzuar për “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim lëndësh narkotike”. Llomi ishte shpallur në kërkim pas dënimit të tij nga Gjykata e Apelit të Romës në Itali, ku ai ka mbetur për të vuajtur një dënim prej 6 vitesh, 7 muajsh dhe 2 ditësh burg.
Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Dibër për veprime të mëtejshme hetimore.
