Në seancën e sotme në Gjykatën Administrative, ku po shqyrtohet kërkesëpadia për shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të prokurorit Ols Dado, është përmendur edhe përfshirja e tij në hetimet e ngjarjes së 21 janarit 2011.

Sipas diskutimeve në sallën e gjyqit, Dado ka qenë pjesë e hetimit për vrasjet e protestës së 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, hetim i cili më pas u konsiderua me shkelje dhe mangësi nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Duke iu referuar këtij fakti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se ka një arsye shtesë për të qenë palë në procesin gjyqësor ndaj prokurorit. Ai tha se vendimi i Strasburgut e ka cilësuar hetimin e 21 janarit si të metë dhe me ndërhyrje, ndërsa shtoi se Ols Dado ishte prokurori që drejtoi atë hetim.

Veliaj theksoi se, përveç rolit si individ dhe kryebashkiak, ai ndihet i përfshirë edhe si drejtues politik i socialistëve në Tiranë, duke kujtuar se në protestën e 21 janarit humbën jetën katër mbështetës të PS-së.

“U përmend një vendim i GJEDNJ-së, të Strasburgut, për ’21 janarin’, ku prokuror i ’21 janarit’ ishte Ols Dado. Strasburgu e vlerësoi hetimin për ’21 janarin’ një hetim të metë. Strasburgu tha, ‘ky është një hetim i metë, këtu ka ndërhyrje në hetim’. Tani, ky prokuror më ka rënë edhe mua, kështu që, patjetër që këta (Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”) janë të legjitimuar sepse paskan zbuluar se ky qenka një shkelës sistematik.
Pra, noteri me pesa, bëhet prokuror dhe të bëka hatanë. Patjetër, unë jam edhe kryetar i PS për Tiranën. Aty u vranë 4 socialistë. Unë paskam edhe një arsye tjetër për të qenë në këtë proces sepse prokurori i ’21 janarit’, hetimet e të cilit i rrëzoi Strasburgu, ishte ai që hetoi vrasjen e 4 socialistëve. Pra, qenka edhe një element tjetër i legjitimimit: si individ, si kryetar bashkie dhe si përfaqësues i PS Tiranë, ku u lanë rrugët me gjak, dhe ky prokuror kishte për detyrë ta hetonte dhe hetimi i ra në Strasburg si i metë”, tha Veliaj në fjalën e tij në seancë.