Për shërbimin onkologjik në QSUNT është raportuar herë pas herë për probleme, si ato në lidhje me mungesën e barnave por edhe për ndërprerjen e trajtimit të pacientëve. Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme gjatë inspektimit në QSUNT, ku ka pranuar kushtet jo normale dhe skandlaet që përfshinë këtë pavion.

“Më parë vizituam onkologjikun, që siç e dimë shumë mirë, u bë shkas në një moment të caktuar për të ulur kokën të gjithë së bashku përballë faktesh që nuk nderojnë askënd, takuam disa pacientë, të cilët ishin shumë të kënaqur me shërbimin dhe që dukej që ishin tërësisht të sinqertë në fjalët e tyre dhe unë po i thosha drejtores dhe ministrit, që opinioni ushqehet me negativitet të madh për shërbimin shëndetësor nga ata dhe prej atyre, që fatmirësisht nuk kanë marrë ndonjëherë shërbim në spital.”- tha Rama.

Pak muaj më parë, spitali Onkologjik në Tiranë u përfshi nga një skandal ku mjekë dhe punonjës të këtij spitali u hetuan dhe u morën masa nga drejtësia për korrupsion dhe abuzim me pacientët.

SPAK hetoi rastin dhe dërgoi në Gjykatë dosjen me akuza ku mjekë dhe specialistë nisnin pacientë me kancer nga spitali shtetëror drejt klinikave private ku ata punonin ose kishin interesa financiare, duke ua ngarkuar pacientëve trajtimin e rrezikshëm financiarisht në vend që t’ua siguronte falas në Spitalin Onkologjik të QSUT-it.

Hetimet zbuluan se shumë pacientë nuk morën shërbimet që u takonin në spitalin publik, duke u detyruar të paguanin shërbime të shtrenjta private. Mjekë të përfshirë u akuzuan për “abuzim të detyrës” dhe shitje të barnave jashtë sistemit të ligjshëm, përfshirë terapi dhe barna të dyshimta.