Vështirësitë
Shërbimi i onkologjikut në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” ka probleme me mungesën e kryerjes së analizave, me radioterapinë dhe kryesisht me mungesën e ilaçeve bazë për realizimin e trajtimit të sëmundjeve të vështira dhe të avancuara.
Dje, në një vizitë në këtë shërbim, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka deklaruar se vitin e ardhshëm do të ketë rishikim të buxhetit dhe shtim të fondit për ilaçet e pacientëve me tumore, citostatikë, ndërkohë që ka garantuar pacientët se spitali do të ketë një kontratë servisi për rregullimin e pajisjes së kobaltit në rastet kur ajo prishet.
“Buxheti ka qenë mjaft i vogël për të plotësuar nevojat normale të pacientëve tanë. Problematika e spitalit onkologjik, që është qendra e vetme referente, sepse ka probleme me radioterapinë, me kirurgjinë, dhe ka mjaft analiza që këtu nuk bëhen dhe që duhen bërë”, tha shefi i shërbimit, Agim Sallaku.