Gazetari Osman Stafa, në “Top Story” solli shqetësimin për kushtet që përballen pacientët e prekur me kancer në spitalin e Onkologjikut. Teksa e cilësoi spitalin si “kamp përqendrimi”, Stafa tha se pacientët paguajnë para edhe për t’u ulur në poltron, madje disa prej tyre, i marrin kimiot edhe në karrige.
“Është kamp përqendrimi te Onkologjiku. Për poltron duhet të paguash lek aty ku bëhet kimioterapi. Japin 20-30- mijë lekshat për të marrë një vend. Rrinë në karrige për të bërë kimioterapi 6-7 orë. Janë karrige druri, nëna nga 70 vjeç, pa poltrone. Duhen blerë pajisjet jetike për pacientët që vuajnë nga kanceri”-u shpreh Stafa.
Gazetari solli edhe dëshminë e një pacienteje me kancer, e cila nuk mund të kryejë brakiterapinë në Onkologjik, por i duhet të shkojë në Turqi.
“Më tha shteti që duhet ta siguroj vetë brakiterapinë. Në Turqi është 4-5 mijë euro. Kam kërkuar të marr kredi. Nëse mjeku më thotë duhet të bësh këtë mjekim dhe ky mjekim kushton, unë do bëj të pamundurën ta siguroj. Duhet ta kisha bërë para 1 muaji e gjysmë. Kimiot i kam bërë edhe në karrige, se nuk kishte vend”-tregoi pacientja.



