Tre persona, një 48-vjeçar shqiptar, djali i tij 20-vjeçar dhe partnerja italiane 22-vjeçare e këtij të fundit, janë arrestuar nga karabinierët në Itali për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Ata u kapën në flagrancë gjatë një kontrolli në rrugën Via Monti Lepini, ku udhëtonin me një automjet tip “Smart”, i drejtuar nga i riu, i njohur më parë për precedentë penalë në fushën e drogës. Sjellja e dyshimtë dhe nervozizmi i çiftit shtyu oficerët të kryenin një kontroll të detajuar.

Gjatë verifikimeve, në posedim të vajzës u gjetën 2,435 euro në kartëmonedha me prerje të vogël, ndërsa në automjet u zbulua një ndarje e fshehur në zonën e airbag-ut të pasagjerit. Brenda saj u sekuestruan 37 doza të vulosura me rreth 54 gramë kokainë, si dhe një bllok shënimesh me emra dhe numra që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e të riut, ku ndodhej edhe babai i tij, i dënuar më parë. Aty u zbuluan sasi të tjera narkotikësh: rreth 210 gramë kokainë, një bllok hashashi prej 100 gramësh, sasi shtesë hashashi, si dhe pajisje për paketimin dhe numërimin e parave.

Pas arrestimit, dy burrat janë dërguar në burgun e Frosinones, ndërsa 22-vjeçarja është vendosur në arrest shtëpie me urdhër të gjykatës.