Një operacion i rrallë dhe me masa ekstreme sigurie është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026, ku 15 të burgosur me rrezikshmëri tepër të lartë janë transferuar nga Burgu i Durrësit drejt IEVP Peqin, institucioni i konsideruar aktualisht si më i sigurti në vend.
Transferimi u krye pak pas mesnate, nën shoqërimin e dhjetëra mjeteve policore, me masa të shtuara sigurie dhe protokolle të rrepta, ndërsa kolona mbërriti në ambientet e burgut të Peqinit rreth orës 00:15. Burime jo zyrtare, sipas Oranews konfirmojnë se ky grup përbëhet nga eksponentët më të rrezikshëm të botës së krimit, mes tyre edhe emra të njohur, si Lul Berisha.
Vendimi për zhvendosjen masive të burgosurve me rrezikshmëri të lartë erdhi menjëherë pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit, një ngjarje që tronditi sistemin e sigurisë së burgjeve shqiptare dhe që nxori në pah nevojën për riorganizim të menjëhershëm të burgjeve.
Në fokus të operacionit ishin personat me rrezikshmëri të lartë, të cilët deri më tani qëndronin në Burgun e Durrësit, institucion i njohur ndryshe edhe si “burgu i VIP-ave”, për shkak të kushteve dhe profilit të disa të dënuarve.
Fillimisht ishte paralajmëruar që një pjesë e të burgosurve të transferoheshin drejt burgut të Fierit apo institucioneve të tjera, por më të rrezikshmit janë përzgjedhur të sistemohen në Peqin, burg që ka seksion të posaçëm të sigurisë së lartë dhe kontroll maksimal.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se 206 të dënuar dhe paraburgosur të Burgut të Durrësit janë kaluar në “sitë”, për të vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë së secilit. Një ditë më parë Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari urdhëroi hartimin e një plani të ri kombëtar rishpërndarjeje, duke i ndarë të burgosurit sipas rrezikut shoqëror.
Pika kyçe e urdhrit ishte largimi i të gjithë personave me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit, i cilësuar shpesh për kushtet e tij më komode, dhe sistemimi i tyre në një nga 7 burgjet e sigurisë së lartë që funksionojnë në Shqipëri.
Deri para këtij vendimi, në një seksion të veçantë në Burgun e Durrësit ndodheshin 27 persona me rrezikshmëri të lartë, pjesë e një total prej 54 të dënuarve dhe 152 paraburgosurve. Arratisja e Altin Ndocit i akuzuar për disa krime të rënda u bë katalizatori që vuri në lëvizje këtë operacion të gjerë.
Operacioni i transferimit drejt Peqinit shihet si një sinjal i fortë i shtetit për rikthimin e kontrollit dhe rritjen e sigurisë në sistemin penitenciar, veçanërisht pas rasteve të përsëritura të shkeljeve dhe gjetjes së telefonave celularë të fshehur gjatë kontrolleve në Burgun e Durrësit.
Aktualisht, në Shqipëri funksionojnë 20 institucione të vuajtjes së dënimit, nga të cilat 7 kanë seksione të sigurisë së lartë, ku tashmë po përqendrohen elementët më problematikë të botës së krimit.
