Trafiqet
Policia ndalon në Shqipëri 10 persona, merrnin drogë nga Holanda dhe e trafikonin në Itali, Francë, Zvicër dhe Francë
Silvana Muça
Policia Shqiptare njoftoi arrestimin e 10 personave, të përfshirë në një bandë kriminale, super të organizuar në Europë, nga 34 që janë gjithsej. Burime zyrtare bëjnë me dije se arrestimet janë kryer në sajë të operacionit ndërkombëtar të koduar “Sotto traccia – AL”, për goditjen e organizatës kriminale, që merrej me trafikim e kokainës, heroinës, shfrytëzimin e prostitucionit dhe favorizim për qëndrimin e klandestinëve. Mësohet se hetimet janë zhvilluar në një hark kohor disavjeçar, duke u shtrirë në pesë shtete. Iniciativën për fillimin e hetimeve në lidhje me këtë operacion ndërkombëtar e ka pasur drejtësia italiane.
Në fillim të vitit 2012, Policia e Shtetit është autorizuar për kryerjen e një sërë verifikimesh procedurale dhe policore edhe në vendin tonë për të kontribuar në kuadër të këtij operacioni. Si rezultat i këtyre veprimeve, gjatë orëve të para të ditës së djeshme u zhvillua operacioni për kapjen dhe arrestimin e personave të implikuar në këtë veprimtari, që u shtri në disa qytete të Shqipërisë. Personat e arrestuar në vendin tonë janë identifikuar si; Sokol Tafani, 39 vjeç, Besnik Lleshi, 33 vjeç, Festim Hoxha, 37 vjeç, Tigert Allko, 37 vjeç 37, Rezart Tirana, Julian Jaho dhe Rezart Jaho, 27 vjeç, Brunild Ramaj, 27 vjeç, Altin Poda, Rinor Hajdaraj, 27 vjeç dhe Bledar Shabani, 34 vjeç.
Gjatë kontrollit, në banesë iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej rreth 2.9 gramë lëndë e dyshuar narkotike marijuanë. “Veprimet për finalizimin e operacionit ndërkombëtar ‘Sotto Traçia’, janë koordinuar nga “Euro Just”, e cila ka realizuar bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimeve hetimore. Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, operacioni është zhvilluar njëkohësisht në pesë shtete dhe më konkretisht në Itali, Belgjikë, Francë, Holandë dhe Zvicër.
Në total, numri i të arrestuarve, në kuadër të këtij operacioni, është 34, nga të cilët 10 persona në Itali, 1 në Belgjikë, 1 në Francë, 1 në Holandë dhe 3 në Zvicër.
Që prej vitit 2010 e deri më tani, këtij rrjeti ndërkombëtar kriminal i janë sekuestruar dhjetëra kilogramë lëndë narkotike. Kreu i Drejtorisë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Edmond Rizaj, u shpreh se do të bëhen sekuestro për pasuritë që kanë të gjithë këta persona, dhe jo vetëm të atyre që janë arrestuar në territorin e Shqipërisë, por për të gjithë personat e implikuar në rrjetin kriminal, të kësaj bande.
Pavarësisht goditjes së rrjetit kriminal, ende nuk janë të qarta rolet që kanë pasur të arrestuarit. “Për të ndarë rolin e çdo individi në këtë organizatë kriminale, janë hetimet që do të vazhdojnë dhe në momentin kur do të shkojnë në gjyq ata do të deklarohen, por të gjithë janë pjesëtarë në këtë organizatë kriminale. Është e kuptueshme, që sipas legjislacionit, një person që bën pjesë në një organizatë kriminale, mban përgjegjësi për të gjithë veprimtarinë e kryer, pavarësisht nëse ka qenë apo jo pjesëmarrës në mënyrën e tij individuale. Kështu që unë nuk e di nëse e keni vënë re, por ju ritheksoj se aktiviteti nuk është zhvilluar në Shqipëri, por në disa vende të BE-së, duke transportuar lëndë narkotike kryesisht kokainë, nga vendet e ulëta në drejtim të thellësisë të Europës Qendrore”, pohoi Rizai.
Nga hetimet e zhvilluara nga strukturat që janë marrë me këtë çështje, jashtë Shqipërisë, rezulton që të arrestuarit kryesisht kanë shfrytëzuar për prostitucion femra të ardhura nga ish-vendet e lindjes. “Është një hetim që është zhvilluar në thellësi. Në dijeninë tonë deri më tani, asnjë shtetase femër shqiptare nuk është trafikuar nga ky grup kriminal. Ky grup kriminal është hetuar nga autoritetet e Zvicrës dhe Francës në lidhje me trafikimin e disa femrave nga Rumania, të cilat shfrytëzoheshin për qëllime prostitucioni në vendet Holandë, Francë, Belgjikë”, theksoi Rizai.
Ndërkaq, drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beci, u shpreh për mediat se, për sa i përket rolit të personave në Shqipëri, ata nuk kanë ushtruar asnjë aktivitet kriminal në vendin tonë dhe se të tërë personat janë arrestuar për qëllime ekstradimi, në sajë të një marrëveshjeje. “Për sa u përket hetimeve, do procedohen në bazë të legjislacionit tonë të brendshëm, kryesisht në verifikimin e aseteve dhe veprimtarisë së këtyre personave, por jo vetëm të këtyre, por edhe të personave të arrestuar në bazë të urdhrit ndërkombëtar të nxjerrë nga autoritetet italiane. Dua të shtoj se tre prej personave të arrestuar në Shqipëri janë në atë që quhet, kapoja i organizatës kriminale”, tha Beci.