Policia e Gjirokastrës ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “Fugitive”, duke vënë në pranga një 43-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë spanjolle.

Aksioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e personit të kërkuar, strukturat e policisë bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin me qëllim ekstradimin e shtetasit K. B., 43 vjeç.

Për 43-vjeçarin, Gjykata e Sabadellit në Spanjë ka caktuar në qershor të vitit 2025 masën e sigurisë “Arrest në burg”, nën akuzat për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe vjedhjes së energjisë elektrike.

Në vijim të veprimeve, Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me homologët e Interpol Madridit për të finalizuar procedurat e ekstradimit të shtetasit shqiptar drejt Spanjës.