Policia e Shtetit në një deklaratë për mediet ka dhënë informacion zyrtar lidhur me operacionin e zhvilluar ditën e djeshme nga pala shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe DEA-n amerikane.
“Janë sekuestruar 45 mijë euro, 2 milionë shqiptare, 500 paund dhe 25 aparatë celular. 28 kg kanabis është gjetur në afërsi të vendit ku është djegur veliera dje. Deri tani janë arrestuar 6 shtetas, shqiptarë dhe të huaj dhe puna vazhdon deri në dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.”
Mësohet se trafikantët i kanë vënë flakën një veliere kur janë afruar forcat e policisë, në të cilën kanë qenë dhe pakot me drogë.
Sipas zv.drejtorit të policisë Sokol Bizhga, operacioni nisi në orën 22:00 të mbrëmjes së 14 gushtit dhe u përmbyll pasditen e djeshme në orën 18:00.
Ai tha se trafikantët i vunë flakën një veliere ku ndodhej drogë dhe pajisje të tjera sapo pikasën policinë. Gjatë operacionit janë sekuestruar armë, para cash: 45 mijë euro, 25 mln lekë të vjetra, paund, franga zvicerane e lira turke. Po kështu 25 kg kanabis janë gjetur në afërsi të vendit ku është mbytur veliera.
Nga operacioni janë arrestuar 6 persona, shqiptarë dhe të huaj.
Janë firmosur urdhër arreste vetëm për 6 persona, mes tyre Ardit Ismailuka, ish-zyrtar policie.
Po ashtu mësohet se janë ushtruar kontrolle në një kompleks luksoz në Fushë-Kuqe ku janë gjetur dhe dy armë.
Gjatë operacionit është goditur një grup kriminal me bazë në Fushë-Kuqe, Kurbin teksa shkëmbenin kanabis me heroinë dhe kokainë.