Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Piktori” , ku janë arrestuar 2 persona. Burimet zyrtare bëjnë me dije se në vijim të punës së pandërprerë për goditjen e paligjshmërisë, nga Sektori kundër krimit ekonomiko – financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas një punë të mirëfilltë hetimore disa mujore, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Piktori”.
Si rezultat i këtij operacioni u dokumentua veprimtaria kriminale e prodhimit të dokumenteve të ndryshme të falsifikuara dhe u arrestuan në flagrancë 2 shtetas që dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme kundrejt një vlere monetare. Në pranga ranë shtetasit Mark Gjinaj , 52 vjeç, banues në Kurbin dhe Fatmir Braha, 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit të ushtruar me datë 10.09.2016 në banesën e shtetasit Mark Gjinaj, janë gjetur një sasi baze materiale që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Gjithashtu gjatë kontrollit janë gjetur e sekuestruar edhe dokumente e materiale të ndryshme të cilat dyshohet se përdoreshin nga ana e tyre, si modele falsifikimi. Materialet i referohen Prokurorisë Kurbin për veprime të mëtejshme për veprat penale ” Falsifikimi i dokumenteve” ” Falsifikimi i dokumenteve shkollore” ” Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)