Operatorët turistikë të Durrësit denoncuan publikisht se inspektorët e ushqimit, mjedisit, ndërtimit, etj., janë të korruptuar dhe kërkojnë ryshfet. Shqetësimin e ngritën gjatë takimit me kreun e Inspektoriatit të Përgjithshëm, Dashnor Sula. Ata gjithashtu kërkuan që kontrollet të kryehen jashtë sezonit turistik.
Pronarët e hoteleve dhe resorteve gjithashtu kërkuan rishikimin e ligjit të gjobave, si dhe vendosjen e standardeve më të qarta për licencimin e aktiviteteve turistike.
“Vendosin gjoba marramendëdse deri në 30 milionë që është absurde. Ose kërkojnë ryshfet në këmbim të gjobave. Inspektorët nuk largohen ose gjoba ose ryshfet”, tha Rrahman Kasa.
Kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, evidentoi një sërë problematikash që kërkojnë ndërhyrje urgjente, siç është mungesa e ujit të pijshëm dhe derdhja e ujërave të zeza në det.
Edhe pse ka shumë mangësi për Ministrinë e Turizmit, Shqipëria vijon të shënojë rritje të numrit të turistëve.
Gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 vendi është vizituar nga mbi 3.7 milionë turistë, ndërsa vetëm në muajin maj u regjistruan mbi 1.1 milionë ose 16 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
