Ditën e sotme është mbajtur prezantimi zyrtar i Operatorit të Ujit, një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve publike dhe përmbushjes së standardeve europiane në sektorin e ujësjellësit.
Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, kryeministri Edi Rama theksoi se rruga drejt integrimit në Bashkimin Europian nuk mund të kalojë pa reforma të thella dhe të qëndrueshme. Ai u ndal veçanërisht te rëndësia e përgjegjshmërisë institucionale dhe profesionale për të garantuar një sistem funksional dhe efikas.
“Hyrja në Bashkimin Europian nuk është një proces simbolik. Ajo kërkon punë, ndryshime dhe mbi të gjitha, përgjegjshmëri. Duhet të tregojmë se jemi të zotët ta bëjmë këtë”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se vendi ka njerëz të aftë dhe të përgatitur, të cilët mund të marrin përsipër realizimin e reformave të nevojshme, duke përfshirë edhe sektorin e ujit, i cili ka qenë prej kohësh në fokus për shkak të problematikave të menaxhimit dhe mbledhjes së të ardhurave.
“Në fund dua të them që hyrja në BE kërkon që ne të arrijmë në 2030 një krahasueshmëri të arsyeshme në furnizimin me ujë të popullsisë sa i përket standardeve të BE. Kërkon reformë, është plotësisht e mundshme, por kërkon përgjegjshmëri.
Siç tregoi rasti i Vlorës, kemi burime njerëzore cilësore, njerëz të aftë këtu në qendër që natyrisht së bashku me ata në pika të ndryshme të territorit, do të jenë në gjendje të krijojnë bërthamën e operatorit kombëtar të krijimit të ujit, më pas të shpërndarjes dhe furnizimit“, u shpreh Rama.