Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, njëkohësisht ish-anëtar i komisionit parlamentar për reformën territoriale, ka sulmuar ashpër mënyrën si është zbatuar reforma aktuale. Ai deklaroi se objektivat për uljen e shpenzimeve dhe administratës jo vetëm që nuk u arritën, por ndodhi e kundërta.
“Sot ka më pak shërbime, por dyfishim të punonjësve. Korrupsioni është rritur dhe tarifat për shërbime administrative janë gjithnjë e më të larta. Lejet e ndërtimit janë koncentruar, dhe kjo ka qenë një dështim,” – tha Korreshi.
Ai vuri në dyshim motivet e mazhorancës:
“Nëse do të kishte logjikë, do të ishte zgjedhur edhe Avokati i Popullit, por këta nuk kanë të ngopur. Këta do ta bëjnë hartën si të duan vet.”
Korreshi kërkoi një reformë të re duke përmendur shembullin e Lushnjës, ku sipas tij 75% e buxhetit shkon për paga, ndërsa qyteti po degradohet për mungesë institucionesh qendrore.
“Për një patentë drejtimi qytetarët duhet të shkojnë në Fier. Lushnja po bëhet fshati më i madh i Fierit,” ironizoi ai.
Sa i përket opozitës, deputeti demokrat pranoi se ajo duhet të jetë e pranishme në çdo reformë, edhe pa vota vendimtare:
“Opozita vuan sot pikërisht atë ndarje territoriale të vitit 2014. I ishin ofruar më shumë se 84 bashki, por me atë budallallëkun e vet nuk mori pjesë. Mund të kishim shumë më shumë bashki sot.”