Opozita do të zhvillojë këtë të premte një protestë kombëtare në Tiranë, e cila pritet të nisë në orën 19:00 përpara godinës së Kryeministrisë.
Tubimi është njoftuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe do të zgjasë deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Policia e Tiranës ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës dhe ka paralajmëruar kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa akse kryesore të qytetit.
Që prej mbrëmjes së një dite më parë është ndaluar parkimi në një pjesë të bulevardit, ndërsa gjatë pasdites së sotme do të bllokohen disa rrugë përreth zonës së protestës.
Ndër segmentet që preken janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga zona pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia u ka kërkuar organizatorëve të respektojnë orarin dhe vendin e tubimit, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje për mirëkuptim për shkak të kufizimeve në lëvizje. Po ashtu, është kërkuar që të shmangen çdo veprim që mund të prishë rendin dhe sigurinë gjatë protestës.
