Pas një seance parlamentare të tensionuar, ku debati për programin dhe përbërjen e qeverisë nuk u zhvillua, deputetët e Partisë Demokratike u mblodhën me urgjencë në selinë blu për të diskutuar hapat e mëtejshëm të opozitës.
Mbledhja, e thirrur menjëherë pas përplasjes në Kuvend, nuk prodhoi një vendim përfundimtar për strategjinë që opozita do të ndjekë ndaj qeverisë, por nxori në pah disa propozime të forta dhe të debatueshme.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije për Top Channel se deputeti i Lezhës, Gjin Gjoni, propozoi një formë ekstreme proteste: mobilizimin e 20 mijë qytetarëve që do të ngujoheshin përpara Parlamentit, me mbështetje logjistike nga vetë deputetët.
“Secili nga ne të kontribuojë me nga 1 mijë euro për të siguruar ushqim dhe qëndresë për qytetarët. Ata të mos largohen derisa të ketë ndryshim real. Ky është hapi i parë. Propozimin për largimin e Ramës do ta paraqes më vonë,” citohet të ketë thënë Gjoni.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e ka vlerësuar si interesant këtë sugjerim, por ka theksuar se është më shumë i interesuar për strategjinë konkrete që do të çonte në largimin e kryeministrit Edi Rama.
“Jam i interesuar për propozimin për largimin e Ramës,” është shprehur Berisha, sipas burimeve.
Ndërkohë, deputeti Sajmir Korreshi ka kërkuar nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar për shkelje të rregullores, pasi hodhi në votim programin qeveritar pa debat parlamentar.
Një tjetër propozim ka ardhur nga Gent Strazimiri, i cili ka sugjeruar zhvillimin e një proteste përpara Presidencës, me qëllim që Presidenti të mos pranojë betimin e qeverisë së re.
Në të njëjtën linjë reagimi, deputeti Besart Xhaferri ka kërkuar që opozita t’i vendosë ultimatum kryeministrit Rama që të mos përsëritë më asnjë veprim që, sipas tij, minon demokracinë parlamentare.
Pavarësisht debateve të zjarrta dhe propozimeve të shumta, grupi demokrat nuk doli me një plan të unifikuar veprimi, duke lënë të hapur mundësinë për diskutime të mëtejshme në ditët në vijim. Opozita duket se po kërkon forma të reja presioni për të sfiduar qeverinë në skenën politike dhe publike.