Berisha: Procedurat transparente, nuk u përgjigjem bixhozçinjve
Opozita e ka avancuar denoncimin e saj në lidhje me tenderin e lotarisë kombëtare, duke e cilësuar një “krim”, pasi po jep një licencë për 30 milionë euro, ndërkohë që ajo kushton 100 milionë euro. Pra 30 herë më pak. Por Kryeministri Sali Berisha i është shmangur totalisht kësaj çështjeje, duke dhënë një deklaratë kontradiktore. Por përse kontradiktore. Sepse, ndërkohë që qeveria që drejton zoti Berisha ka dhënë një licencë monopol për të administruar një lotari kombëtare me “fee koncesionare” siç tha vetë Berisha, ai i cilëson kritikat që vijnë si “argumente bixhozçinjsh”.
Berisha
Kryeministri theksoi se ai e ka dhënë këtë licencë kundër vullnetit të tij që e refuzon “industrinë e mëkatit”. Sipas Berishës, “Autoriteti i Ministrisë së Financave e ka vendosur këtë kriter, por ky kriter përjashtonte një seri kompanish, natyrisht dhjetëra syresh e plotësonin kriterin. Për sa u përket reagimeve të bixhozçinjve nuk kam asnjë impresion prej tyre. Unë këtë e konsideroj industri mëkati. E kam thënë dhe e them se po të ishte për mua do të ishte e ndaluar, por meqenëse nuk është, nuk mund ta bëj vullnetin tim dhe t’i diktoj një rast të veçantë Shqipërisë. Kështu që ata le të bërtasin sa të duan”. Më poshtë, Kryeministri Berisha bëri polemikë me Ramën, duke renditur shifra: “Zoti Rama bëri një gabim trashanik kur deklaroi se kompanisë ia janë lënë 90% dhe shteti ka mbajtur 10%. Pavarësisht të gjitha veseve, nuk e di që të jetë bixhozçi. Bashkëpunëtorët i ka të tillë, por vetë mesa di, nuk e di që të jetë. Ai duhet të dijë që 10% është fee koncesionare, duhet të dijë që në këtë vend janë firmosur nga partia e tij koncesione nga më të mëdhatë me zero fee; duhet të dijë që në këtë biznes 50%, ata të cilët kanë licencën e transparencës, janë të detyruar t’ia japin publikut, lojtarëve, mëkatarëve, atyre që fitojnë. 20% është TVSH-ja dhe ligji nuk e ka përjashtuar. 10% është tatimfitimi, 10% është tatimi mbi xhiron. Por unë do ta mbyll, duke mirëpritur me kënaqësinë më të madhe komisionin hetimor të opozitës për këtë çështje. I ftoj që javën që vjen të votojmë për hetimin. Kjo është gjithçka që mund të them, mirëpres transparencën e opozitës. Natyrisht me bixhozçinjtë nuk kam punë”.
Braçe
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist i është kundërpërgjigjur Berishës me një logjikë të thjeshtë: “Po jepet një licencë unike, me një fitim unik, me taksa të njëjta, me biznes të zakonshëm”. Në një koment të shkruan në faqen e tij në “Facebook”, Braçe thekson se “10% tatimfitimi paguan çdo biznes i zakonshëm. Taksat lokale i paguan çdo biznes i zakonshëm. Sigurimet shoqërore i paguan çdo biznes i zakonshëm, 10% mbi dividentin e paguan çdo biznes. 10% tatim në burim për çdo çmim e paguan çdo kompani që merret me lotari apo baste”. Por, sipas nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, kemi të bëjmë me një monopol unik, që paguan taksa si çdo subjekt që konkurron në treg dhe ky është skandali i parë. Por Braçe shkon më tej: “Skandali është flagrant, po tregtohet një e drejtë monopol shtetëror që kushton 100 milionë euro për 3 milionë euro, thuajse 30 herë më pak! Ky është krim! Është i hapur, nuk ka nevojë për hetimin politik e garantues të shumicës në Kuvend, apo hetimin shpëlarës të prokurorisë. Ka nevojë vetëm për një angazhim serioz dhe të pakthyeshëm, për pushtetarët dhe kompaninë e angazhuar prej tyre: kjo licencë do të anulohet dhe do t’i kthehet popullit”.
1
Tenderi – Qeveria ka bërë të ditur se ka vendosur të zhvillojë një lotari kombëtare, duke i dhënë të drejtën një kompanie me letra austriake
2
Ankesat – Dy kompani që kanë aplikuar në tenderin e lotarisë e kanë cilësuar tenderin e zhvilluar nga qeveria si diskriminues
3
Rama – Lideri i opozitës ka bërë të ditur se qeveria e ardhshme, që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, do ta rrëzojë licencën e dhënë
4
Berisha – Kryeministri ka injoruar të gjitha kundërshtimet, duke deklaruar se tenderi do të ecë përpara: “S’pranoj kushte nga bixhozçinjtë”