Opozita do të zbresë sërish në rrugë pasditen e kësaj të shtune, në orën 18:00.

Në fokus të tubimit mbeten skandalet e qeverisë dhe shkarkimi i zv. kryeministres Belinda Balluku.

Demokratët, gjatë së premtes, kanë zhvilluar mbledhjet e fundit, ku kanë përcaktuar edhe formën e organizimit të kësaj proteste.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, deklaroi të mërkurën: “Ne tani kalojmë në forma të ndryshme protestash, i diversifikojmë, kemi kreativitet. Do të eksplorohen forma të reja.”. Në daljet e fundit për mediat, Berisha ka paralajmëruar masivitet në këtë tubim.

Protesta e demokratëve vjen tre ditë pasi kryeministri Edi Rama bëri ndryshime në qeveri, duke larguar Belinda Ballukun dhe dy ministra të tjerë, ndërsa lëvizjet prekën gjithsej gjashtë poste qeveritare.

Kjo është protesta e katërt e opozitës për këtë vit, ku kërkesa mbetet e njëjtë: largimi i Edi Ramës dhe hapja e rrugës për një qeveri teknike, e cila do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.