E shtuna e fundit e marsit shënon edhe një prej nismave më të mëdha mjedisore në botën, të ashtuquajturën Ora e Tokës. Në këtë nismë, miliona njerëz në botë fikin dritat dhe çdo pajisje elektrike jo të domosdoshme për 60 minuta në orën 20:30, në shenjë sensibilizimi ndaj ndryshimeve klimatike dhe kujdesit për mjedisin. I pari vend që po e zbaton është Australia dhe Zelanda e Re ku e shtuna erdhi më herët.

Kësaj nisme, e cila e ka fillesën në vitin 2006 në Australi i është bashkuar edhe MInistria e Mjedisit. Ministri Sofjan Jaupaj ftoi sot qytetarët e Shqipërisë që të fikin dritat në mbrëmje për 60 minuta në shenjë solidariteti me planetin tokë.

“Sot bashkohemi për Orën e Tokës, si pjesë e angazhimit global, duke fikur dritat nga ora 20:30 deri në 21:30. Një gjest i thjeshtë me një mesazh të fuqishëm për mbrojtjen e planetit tonë dhe për një të ardhme më të qëndrueshme, sepse kujdesi për mjedisin nis nga veprimet tona të përditshme”, thekson Jaupaj në një postim në rrjetet sociale.

Në këtë 20 vjetor të nismës, do të fiken dritat edhe në shumë prej monumenteve më të rëndësishme të botës.